Akuza të shuma janë drejtuar nga zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj qeverisjes komunale të Podujevës. Sekretari organizativ i Qendrës së kësaj partie, Behri Selimi, ka ngritur shqetësimet lidhur me ndërtimet e objekteve kolektive që, sipas tij, janë duke u bërë në kundërshtim me Planin urbanistik të Komunës.
Në një konferencë për media, Selimi ka thënë se në dy raste janë tejkaluar katet e ndërtimit për 3 përkatësisht 2 kate. Ai ka ngritur dyshimet se këtu janë të përfshirë edhe zyrtarët komunalë, shkruan sot Koha Ditore.
“Lëvizja Vetëvendosje shpreh shqetësimin për ndërtimet kolektive, të cilat janë duke ndodhur në qendër të qytetit në kundërshtim me planin urbanistik të aprovuar nga vetë autoritetet komunale. Plani urbanistik është një nga dokumentet kryesore që përcaktojnë zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror, përderisa abuzimi me ndërtime është një dëm i madh që i bëhet shoqërisë në të sotmen dhe në të ardhmen, duke aluduar te brezat që vinë pas”, është shprehur Bahri Selimi në konferencë për media.