Lëvizja Vetëvendosje në Gjilan ka ndërmarrës sot një “aksion simbolik”, sikur e quajnë ata, duke e derdhur një sasi bërlloku para Komunës së Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Lutfi Haziri.
Vetëvendosje thotë se bërllokun e qytetit të Gjilanit nuk e ka mbuluar as rreth gjysmë metri borë sa ka rënë.
“Kryetari i komunës së Gjilanit dështon në zotimin e tij se me kompaninë e pastrimit ‘Eco Higjiena’ nuk do të ketë më probleme dhe as grevë. Ai pat thënë se kompania nga tash do ta mbledhë bërllokun me orare të rregullta”.
“Edhe pas këtij zotimi të kryetarit se Gjilani nuk do të shndërrohet me në deponi bërlloku, fatkeqësisht ka ndodhur e kundërta. Gjilani, sot është shndërruar në deponi bërlloku”, thuhet në një komunikatë të Qendrës së VV-së në këtë qytet.
“Lidhur me këtë Qendra jonë i ka dërguar një sasi bërlloku Komunës së Gjilanit për të parë më qartë nivelin pastërtisë në qytet”.