Vetëvendosje inskenon procesin e votimit në kohë pandemie

Prishtinë | 24 Maj 2020 | 20:18 | Nga Ekonomia Online

Që prej mocionit të mosbesimit, Lëvizja Vetëvendosje ka insistuar në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, menjëherë pas tejkalimit të situatës me pandeminë.

Në faqen e tyre në Facebook VV-ja ka postuar një video përmes së cilës aktivistët e kësaj partie kanë demonstruar një proces votimi në kohë pandemie.

Sipas tyre, votimi në një kohë pandemie nuk ndryshon edhe aq prej atij pa të.

Përveç kujdesit të shtuar, Vetëvendosje thotë se gjithçka tjetër është e ngjashme.

“Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të frymëzuar nga forma e organizimit të zgjedhjeve në Koren e Jugut, të mbajtura me 15 prillit 2020, kanë inskenuar një proces të ngjashëm zgjedhor”, thotë kjo parti.

Procesin e votimit e kanë ndarë në dy hapa.

1. Votuesit duhet të kenë maska dhe të qëndrojnë 1.5 metra larg njëri-tjetrit gjatë kohës së pritjes në radhë.

2. Votuesve do të u matet temperatura në hyrje të klasës:

“Nëse temperaturën e ka deri në 37.5 gradë celsius, votuesi mund të votoj në atë klasë me procedura sikur nga e kaluara vetëm me disa masa shtesë të sigurisë. Nëse temperaturën e ka më shumë se 37.5 gradë celsius, atëherë votuesi do të ndahet në një klasë tjetër ku i gjithë stafi i KQZ-së do të jetë i pajisur me veshje kundër pandemisë COVID-19. Pas votimit ai/ajo shoqërohet për t’i bërë analizat”, thotë VV-ja.

Sipas tyre, zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje.

“Këtu e 28 vite më parë po mbaheshin zgjedhjet e para në Kosovën e okupuar. Ndonëse nën shtetrrethim nga Serbia e pa institucione, populli i Kosovës arriti t’i organizoj zgjedhjet e para në vend. Tani mundësitë janë edhe më të mëdha dhe se zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje”.

https://www.facebook.com/vetevendosje/videos/576829493245142/?t=0


Të ngjashme