Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar lirimin e ish-asamblistit të Prishtinës, Sadri Ramabaja, që akuzohet për pjesëmarrje në organizatën “Syri i Popullit”, që kishte publikuar një listë emrash të politikanëve të cilët thoshte se do t’i likuidojë.
Vetëvendosje vlerëson se Ramabaja po mbahet në paraburgim qe pesë muaj pa prova, por vetëm me akuza të trilluara.
“Kërkojmë drejtësi për rastin gjyqësor ndaj Sadri Ramabajës, mu tash, gjatë festimit të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, që t’ia përkujtojmë institucioneve dhe qytetarëve se puna dhe mundi për vetëvendosje dhe shtetndërtim të Kosovës ende s’ka përfunduar”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
“Sot, 10 vite pas shpalljes së pavarësisë ende kemi të burgosur politikë. Ata janë të rinj të pafajshëm, të burgosur dhe të vrarë, në burgje të Kosovës, për bindjet e tyre politike. Po ata janë edhe intelektualë e veprimtarë të kahmotshëm, si Sadri Ramabaja, i cili ka punuar për Kosovën që nga vitet e ‘80-ta. Sadri Ramabaja po mbahet në paraburgim prej gati pesë muajsh, nuk po nxirret para gjyqit që të ballafaqohet me drejtësinë. Paraburgimi i tij po zgjatet duke zëvendësuar dënimin, pikërisht sepse kundër tij nuk ka prova, por vetëm akuza të trilluara, pa bazë substanciale në të vërtetën. Mbyllja e Sadri Ramabajës në paraburgim duhet të marrë fund. Ai ishte asambleist i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe është ligjërues fakulteti. Burgimi i padrejtë e ndan nga ligjëratat dhe studentët e tij”, thuhet më tej në reagim.
Vetëvendosje thotë se Ramabaja gjithnjë ka pasur qëllim atdhedashurinë, ndërsa “puna e tij reflekton angazhim të pastër për Kosovën dhe çështjen shqiptare”.
“Për të njëjtat bindje që u arrestua dekada më parë nga regjimi serb, e me të njëjtat akuza të rrejshme, ai po mbahet i arrestuar edhe sot, por këtë herë nga shteti për të cilin ai veproi gjithë jetën. Duhet të ndalen arrestimet dhe mbajtjet e padrejta nëpër burgje të Kosovës, arrestime me prapavijë politike. Nuk duhen përsëritur veprimet e regjimeve të mëhershme, por duhen mbrojtur interesat e qytetarit, e të lartësohen mundi dhe veprimtaria e gjeneratës së Ukshin Hotit”, thotë Vetëvendosje.