Lëvizja Vetëvendosje para pak ditësh ka dorëzuar një kërkesë me gjithsej 16 nënshkrime të këshilltarëve me qëllim të mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme për të debatuar rreth degradimit në sferën e ndërtimeve, por katër nënshkrues janë bërë pishman, ndaj kanë tërhequr nënshkrimet.
Ky subjekt ka akuzuar Ekzekutivin e komunës me arsyetim se po i josh këshilltarët e LDK-së dhe AAK-së për qëllime politike e personale, shkruan sot “Koha Ditore”.
Këshilltarët: Jehona Mustafa (LDK), Saranda Musliu (LDK), Burim Karameta (LDK) dhe Muhamet Halili (AAK), kanë revokuar nënshkrimet e tyre për seancë të jashtëzakonshme.
Por Vetëvendosje insiston në një seancë të tillë. “Kërkojmë të thirret një seancë e jashtëzakonshme e KK-së, në të cilën drejtori i Urbanizmit duhet të na informojë mbi procesin e ndërtimeve në qytetin tonë”, thuhet midis të tjerash në kërkesë.