Lëvizja Vetëvendosje me ngulm është duke kërkuar përjashtimin e trupit gjykues dhe gjyqtarit Beqir Kalludra në rastin e deputetëve të Vetëvendosjes.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Gjilanit, Sami Kurteshi në një konferencë për medie tha se ende nuk kanë marrë përgjigje prej Gjykatës Themelore, për kërkesën e tyre raporton Ekonomia Online.
“Ka dyshime të bazuara dhe objektive për anshmërinë e këtij trupi gjykues ndaj deputetëve tanë.Ne kemi fakte dhe argumente që ky trup gjykues nuk mund të jetë i paanshëm. Kërkesa për përjashtim është dorëzuar me 22.11.2017 dhe pa marrë ende një përgjigje, siç është obligim i kryetares së Gjykatës Themelore, gjyqtari Beqir Kalludra me 23 nëntor, ka lëshuar fletëarrestin për arrestimin e deputetëve tanë. Nuk ka pasur të drejtë ligjore të marrë asnjë vendim lidhur me çështjen pa u marr një përgjigje nga kryetarja e gjykatës. Veprimi i tillë përbën një ndjekje penale, në lidhje me lëshimin e fletarresteve”
“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me vepër penale, vendimi për fletarrestim është në kundërshtim me ligjin, prandaj kërkojmë lirimin e deputetëve tanë nga paraburgimi dhe kërkojmë të merren masa penale ndaj gjykatësit”, tha Kurteshi.
Përveç kësaj Kurteshi komentoi edhe vendimin për të dërguar në rinumërim Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit.
Kurteshi tha se kërkojnë nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ)-së dhe KQZ, që të vazhdojnë me numërimin e rregullt të votave.
“Nuk ka asnjë arsye ligjore dhe asnjë vendim të ligjshëm të asnjë organi apo institucioni që ndalon numërimin e rregullt të votave për Prishtinë e Prizren. Kërkojmë nga Daka vazhdimin e numërimit të rregullt për Prishtinë e Prizren. Nëse nuk vazhdon numërimi në këto komuna, kjo përbën një cenim të integritetit. Vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), është kundërshtuar në Gjykatën Supreme dhe VV ka dërguar ankesë”.