Vetëvendosje me seli në Tiranë

Tiranë | 22 Maj 2019 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmjen e djeshme në Tiranë, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje, në Shqipëri shënoi hapjen e veprimtarisë së saj me pjesëmarrjen e afër 600 personave.

Gjithashtu u mbajtën edhe fjalime të shkurtëra mbi temat e Lëvizjes. Anëtari i Bordit, profesori i filozofisë, Elvis Hoxha, tha ndër të tjera se: “Deri tani ne kemi parë projekte ku roli i shumicës është i panevojshëm, ndërsa talenti i individit i refuzueshëm. Kemi parë të tretet para nesh pesha e historisë dhe se si ky vend bëhet kalimtar për njerëzit, maternitet e fjetore, por jo vend banimi dhe dhuntie. Kemi parë se si e shëmtojnë njeriun institucionet që kemi ndërtuar, se si njeriu i shëmtuar në moral nuk mund të durojë institucione të ndershme. Nga shëmtia te pandershmëria është veç një hap. Historiku i Lëvizjes
Vetëvendosje ! vërteton dita-ditës se projekti ynë është i bukur dhe se rithemelimi i besimit është sa i mundshëm edhe i domosdoshëm”.


Drejtori i Qendrës së Lëvizjes
Vetëvendosje ! në Shqipëri, Boiken Abazi, në fjalën e tij deklaroi se “sot, pas gati 30 vitesh prej ndryshimit të regjimit, e kanë kuptuar të gjithë se ky nuk është tranzicion. Ky është vetë sistemi. Ekonominë e ka lënë pa prodhim, bujqësinë pa mbrojtje nga tregtia e pandershme, mbrojtjen e vendit pa ushtri me armatim bashkëkohor, dijen e ka lënë në mëshirën e fatit, ndërsa shëndetin publik në ligjet e pamëshirshme të tregut. Ky sistem është edhe më brutal nëse je grua, fëmijë apo i moshuar.

Edhe më keq nëse je nga periferia. Produkti me rendimentin më të lartë i këtij sistemi janë të përjashtuarit. Eksporti më i madh i këtij sistemi janë vetë shqiptarët. Sigurisht që zgjidhjet nuk arrihen lehtë, por ato janë këtu mes nesh, dhe presin. Presin që ne t’i njohim e t’i marrim përsipër. Presin angazhimin tonë, përkushtimin tonë, sakrificat tona, organizimin që i nxjerr ato në dritë e që i sjell ato në jetë.

Ky organizim tashmë ka nisur …”
Në këtë çelje, Aktivisjta Megi Mustafaraj foli për normalitetin e angazhimit të saj të njëkohshëm në Lëvizjen
Vetëvendosje ! e në protestat e studentëve në Shqiperi. Ajo risolli faktin se Lëvizja e ka kundërshtuar publikisht reformën e gabuar në arsimin e lartë në Shqipëri që prej vitit 2015. Më tej, në fjalën e saj, aktivisjta Evi Veliu foli për vështirësitë në profesionin e gazetarit në Shqipëri, prej kontratave të punës e deri te censura, duke ndrydhur potencialin dhe duke cënuar informimin e publikut. Anëtarja e Bordit, Gearda Demiraj foli për mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore kombëtare, për fiaskon në UNESCO në lidhje me regjistrimin e padrejtë të Lahutës si pasuri shpirtërore e Serbisë, dhe duke nënvizuar nevojën urgjente për bashkëpunim përmbajtësor Shqipëri-Kosovë përtej festivaleve dhe kalendarit turistik.
Çeljen e Qendrës së Lëvizjes
Vetëvendosje në Shqipëri, e përshëndeti me një fjalë rasti edhe Albin Kurti, duke thënë se “Populli shqiptar ndodhet ndërmjet dy zjarreve, ndërmjet dy pabarazive: pabarazisë së jashtme me popujt tjerë dhe pabarazisë së brendshme te vetja. Këto dy pabarazi e ndihmojnë njëra-tjetrën.

Barazi me kombet e tjetra, por edhe barazi brenda kombit tonë. Nuk ka ardhmëri nëse shumica e shqiptarëve e kanë mbijetesën luks ndërkaq pakica e ka luksin normalitet. Siç ka thënë rilindasi ynë Sami Frashëri: ‘Jeta e një shteti dhe lumturia e një kombi sigurohet vetëm me bashkim dhe barazi. Zhdukja e barazisë shkakton humbjen e lirisë. Privilegjet janë shokë të tiranisë.’” Ai shtoi se “Bashkimi ynë kombëtar dhe Bashkimi Evropian as nuk e zëvendësojnë njëra-tjetrën dhe as nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Është gabim të përdoret bashkimi kombëtar për ta frikësuar Bashkimin Evropian. Mënyra e tillë na lë edhe pa bashkim kombëtar, edhe pa Bashkim Evropian. E neve na nevojiten të dyja, pra, edhe bashkimi kombëtar, edhe Bashkimi Evropian. Shqiptarët janë fuqi rajonale. Ne duhet ta pranojmë këtë fakt, ashtu qysh po e pranojnë fqinjtë tanë.

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë.”
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe anëtarë kryesie, deputetë dhe aktivistë të Lëvizjes nga Kosova, ndërsa nga Shqipëria mori pjesë Ministri Pandeli Majko, edhe si ish kryeministër në kohën e luftës dhe çlirimit të Kosovës, që këtë vit shënon 20 vjetorin. Pjesëmarrësit përfshinë gjithashtu gazetarë e pjesëtarë të shoqërisë civile, bashkë me qindra anëtarë e simpatizantë të Lëvizjes në Shqipëri. Me dhjetra anëtarësime u kryen vetëm mbrëmë nga simpatizantët e Lëvizjes.


Qendra e Lëvizjes
Vetëvendosje ! në Shqipëri falenderon përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit dhe personat që dhanë vullnetarisht kontributin e tyre për realizimin e suksesshëm të këtij aktiviteti. Punë e sfida na presin përpara, por entuziazmi për angazhim na është rritur edhe më shumë.

Të ngjashme