Lëvizja Vetëvendosje ka përjashtuar çfarëdo bashkëpunimi me Listën Serbe për ta shtyrë përpara mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Në LVV kanë thënë se as taksa nuk do të jetë arsye për rrëzimin e Qeverisë.
“Pa dyshim që nuk do të kemi asnjë bashkëpunim me Listën Serbe. Por ata janë deputetë të Kuvendit dhe të drejtën e votës e kanë 120 deputetë”, ka thënë për gazetën deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, shkruan sot “Koha Ditore”. “Dhe të jeni të sigurt që taksa ndaj Serbisë nuk do të jetë arsye për rrëzim, përkundrazi ajo duhet të mbetet. Në anën tjetër, kemi pa fund arsye për rrëzimin e kësaj qeverie”.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, ka mbledhur deputetët e Grupit parlamentar për të diskutuar për rrëzimin e Qeverisë. Mustafa ka disa ditë që ka nisur konsultat edhe me dy partitë e tjera opozitare; Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Socialdemokrate. Publikisht deri më tani Mustafa ka takuar vetëm liderin e VV-së, Albin Kurti.
Por LDK-ja nuk ka treguar nëse llogarit edhe në votat e Listës Serbe, në mësymjen për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.