Vetëvendosje nuk e pranon ”Ekipin e Unitetit”

Prishtinë | 26 Tet 2016 | 17:26 | Nga

Faza e tretë e Dialogut të Brukselit, sipas kryenegociatores Edita Tahiri do të ishte mirë që të merrte formë të ekipit sikur “Ekipi i Unitetit”, në kohën e bisedimeve në Vjenë.

Për këtë Vetëvendosja thotë se Edita Tahiri dëshiron ta ndajë dëmin që po i shkakton Kosovës me grup uniteti gjithëpartiak ose mbipartiak, transmeton Koha.net. Zgjidhje për Vetëvendosjen është vetëm ndërprerja e negociatave.

“Në vazhdimësi, procesi negociator i Kosovës me Serbinë ka prodhuar veç koncesione të dëmshme për vendin tone. Kjo sepse fillimisht ky dialog zhvillohet pa kushte, pra është në thelb i pabarabartë e i padrejtë. Kështu ishin edhe negociatat e Vjenës, që do t’i rikthejë zonja Tahiri, e kështu ishin edhe negociatat e udhëhequra nga Hashim Thaçi e nga vetë zonja Tahiri. Me siguri zonja Tahiri përgjegjësinë për dështimin dhe për koncesionet e dëmshme në kurriz të Kosovës do që tash ta ndajë me ndonjë ekip apo grup të unitetit gjithëpartiak a mbipartiak, por sipas nesh rruga e vetme është ndërprerja e negociatave”, ka thënë Frashër Krasniqi për Koha.net.

Në vend të këtij ndryshimi të kërkuar nga Tahiri, Vetëvendosje propozon fillimin e dialogut me serbët lokalë të Kosovës, si formati i vetëm që nuk favorizon Serbinë.

“Dhe në vend të tyre, të fillojë dialogu me serbët lokalë të Kosovës për integrimin e tyre, si dhe dialogu me kushte me Serbinë. Çdo format tjetër i dialogut shkon në dëm të shtetësisë së Kosovën, dhe për më keq, favorizon Serbinë”, thuhet më tej nga ata.

Kryenegociatorja Tahiri, për Vetëvendosjen, është shndërruar në figurë që simbolizon gënjeshtrën e mashtrimin, e veçanërisht për shkak të rezultateve të procesit negociator me Serbinë, që sipas tyre, është nga njerëzit që i ka bërë jashtëzakonisht dëm të madh Republikës së Kosovës.

Të ngjashme