Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të kthejë gazin lotsjellës në kuvend nëse do të ketë tentim për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.
Lëvizja Vetëvendosje ka për ta vazhduar rezistencën në mënyra të ndryshme dhe më të fuqishme nëse është nevoja për ta kundërshtuar këtë asociacion, ka thënë për Indeksonline, zyrtari për media i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti.
Ai këto komente i bëri pas deklaratës së Listës Serbe, të cilët gjatë ditës së sotme thanë se ata tashmë po presin një ftesë zyrtare nga Qeveria e Kosovës për kthimin në Kuvend në mënyrë që të mundësohet vënia e dekretit për themelimin e Komunave Serbe.
“Ne jemi kundër këtij projekti të dëmshëm që siguron Bosnjëzim të vendit. Ne jo që thjesht jemi kundër “Zajednicës”, por nëse do të ketë tentim për themelim të saj, ne kemi për të vazhduar rezistencën sikurse edhe më parë, bile edhe më fuqishëm. Në asnjë mënyrë nuk pranojmë pushtetin e Serbisë që ta shtrijë ndikimin në Kosovë”, ka thënë Hoti.
I pyetur në qoftë se kjo nënkupton edhe kthimin e gazit lotsjellës brenda Kuvendit, Hoti tha se do veprohet në atë mënyrë që rezistenca të jetë sa më e efektshme.