Vetting për 13 mijë punonjës të policisë shqiptare

Prishtinë | 07 Shk 2018 | 15:45 | Nga

Rreth 13 mijë punonjës të policisë në Shqipëri do t’i nënshtrohen vettingut. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë u miratua Projektligji i Vettingut në Policinë e Shtetit.

Sipas këtij ligji, pasuria e 13 mijë punonjësve do të kalojë në sitë për të parë nëse justifikohet me burimin e të ardhurave të tyre.

Në përfundim të mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për mediat zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj tha se qëllimi i kësaj nisme është të japë një kontribut në krijimin dhe konsolidimin e institucioneve të forta dhe të besueshme, me profesionistë me integritet.

Sipas tij, në radhët e Policisë së Shtetit ka gra dhe burra, vajza dhe djem të ndershëm dhe profesionistë. Është pikërisht kjo baza prej të cilës duhet të ndërtohet institucioni i së ardhmes.

Hodja deklaroi se vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së, nuk është thjesht fshesa e radhës. Padyshim, tha ai, pastrimi i radhëve është i rëndësishëm në kushtet brenda tyre ka elementë të prekur nga krimi dhe korrupsioni apo të paaftë.

“Gjithsesi, aspekti më i rëndësishëm i kësaj nisme është një tjetër: është promovimi i atyre që janë të ndershëm, të aftë dhe të përkushtuar, është çlirimi i energjive pozitive, sot disi të fjetura, tek pjesa e shëndoshë e institucioneve. Ky projektligj përcakton parimet, kriteret, procedurat e vlerësimit kalimtar dhe periodik, standardet, organizimin dhe funksionimin e organeve të vlerësimit për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme”, deklaroi zv.ministri i Brendshëm.

Gjithashtu, Hodaj sqaroi se është përzgjedhur një model i përzier ku gradat e larta vlerësohen nga komisione të pavarura me punonjës të rekrutuar nga jashtë, ndërsa në nivelet e tjera komisionet integrohen me punonjës që e kanë kaluar me sukses vlerësimin.

Drafti është hartuar me bashkëpunimin dhe këshillat e vyera të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, PAMECA dhe ICITAP, të cilat ishin pjesë e grupit të punës që nga fillimi. Projektligji ka kaluar edhe një proces të gjerë dhe gjithëpërfshirës konsultimi, duke filluar nga konsultimi me vetë punonjës të Policisë së Shtetit, Gardës e SHÇBA, për të kaluar në konsultimin me përfaqësues të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe përfaqësive apo misioneve diplomatike prezentë në Shqipëri.

Ministria e Brendshme nuk do të pjesë e procesit e vlerësimit, për të garantuar pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij, përkundrejt punonjësve që vlerësohen apo përkundrejt publikut.

Partnerët ndërkombëtarë do të kenë rol monitorues dhe këshillues përgjatë gjithë procesit, duke nisur që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të parë të vettingut dhe duke vazhduar këtë rol gjatë procesit të vlerësimit, me qëllim garantimin e cilësisë, zbatimit të njëjtë të standardeve dhe garantimin e transparencës së vetë këtij procesi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme