Së paku 2 mijë punonjës policie të nivelit zbatues rrezikojnë të mos plotësojnë në kohë formularët e Vettingut.
Në këtë mënyrë ata rrezikojnë edhe largimin nga radhët e Policisë së Shtetit.
“Janë afërsisht 2 mijë punonjës policie që rrezikojnë të mos i plotësojnë sepse nuk arrijnë afatin…”, tha Sadetin Fishta, Kryetar Sindikatës se Punonjësve të Policisë së Shtetit.
Për ketë shkak, kreu i Sindikatës së Policisë i kërkoi Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, shtyrjen e afatit të dorëzimit të dokumenteve të nevojshme, për shkak se ka pasur vështirësi në mbledhjen e tyre.
“Janë 11 dokumente që u kërkohet për pasurinë në një afat tejet të shkurtër, por ka edhe kosto financiare për familjet e tyre pasi duhet të paguajë për tërheqjen e dokumenteve.”
Afati i fundit për plotësimin e 3 formularëve, atë të pasurisë, kontrollit të figurës dhe aftësive profesionale është 5 Maji. Nëse afati nuk do të shtyhet kreu i Sindikatës së Punonjësve të Policisë thotë se disa nene të ligjit që kanë të bëjnë me afatin dhe mbledhjen e shkresave zyrtare, do të ankimohen në Gjykatën Kushtetuese.