VIA Centaur e ka prezantuar procesorin e ri të bazuar në arkitekturën x86, i cili përmban një koprocesor special AI. CPU-ja i ka 8 bërthama kompjuterike të cilat në mes vete i shkëmbejnë të dhënat përmes magjistrales Ringbus dhe punojnë në 2.5 GHz dhe i përdorin gjithsej 16MB memorie për cache të të dhënave, raporton Expreview.
Detaji kryesor në procesorin e ri është ekzistenca e koprocesorit NCORE AI, i cili gjithashtu gjendet në magjistralen Ringbus. Kështu procesori është në gjendje t’i njohë dhe t’i ridrejtojë operacionet e AI në NCORE dhe ta përshpejtojë procesimin përmes përdorimit të optimizmit softuerik.
Procesori e integron një çipset shumë të aftë me madje 44 rrugë komunikimi PCIe. Kontrolluesi i memories e mbështet konfigurimin katërkanalësh të RAM memories DDR4-3200.
Bërthamat kompjuterike janë specifike për nga mbështetja për setin e avancuar të udhëzimeve të optimizuara vektoriale AVX 512, të cilin nuk e kanë as modelet e CPU-ve nga Inteli apo AMD, shkruan KOHA Ditore. Bëhet fjalë për setin e avancuar të udhëzimeve i cili mund ta përshpejtojë procesin e zhvillimit të inteligjencës artificiale dhe llogaritjeve të dedikuara. Aspekti AI i këtij procesori të avancuar mbështetet në arkitekturën SIMD me magjistrale prej 32768-bitësh, e cila ndihmon shumë në përshpejtimin e llogaritjeve të AI.
Procesori do të prodhohet në TSMC me proces 16nm ndërsa prodhuesi pretendon se bëhet fjalë për procesorin e parë në botë x86 i cili ka koprocesor AI të integruar.