Victoria Beckham tregon pse nuk buzëqesh pothuajse kurrë në publik

Prishtinë | 09 Tet 2025 | 19:42 | Nga Ekonomia Online

Victoria Beckham, e njohur për shprehjen serioze të fytyrës, më në fund ka zbuluar arsyen pse buzëqesh kaq rrallë – dhe pse për vite të tëra, siç thotë vetë, “dukej e mjerë”. Ajo ka ndarë arsyet në dokumentarin e saj të ri, që prej sot është i disponueshëm në Netflix.

Seria e re dokumentare për ish-anëtaren e grupit të famshëm Spice Girls ka mbërritur më 9 tetor në platformë, duke tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut për shkak të rrëfimeve të sinqerta të stilistes 51-vjeçare. Dokumentari i Victorias publikohet dy vite pas atij të bashkëshortit të saj, legjendës së futbollit David Beckham, i cili me dokumentarin e vet zbuloi shumë detaje të panjohura nga jeta e tij.

Edhe pse Posh Spice u shfaq në disa pjesë të dokumentarit të Davidit, kësaj here ajo është në qendër të vëmendjes dhe shfrytëzon rastin për t’iu përgjigjur perceptimit publik se është “ajo gruaja e mjerë që nuk buzëqesh kurrë”.

Beckham, e cila njihet për qëndrimin e saj të përmbajtur, pranon se ata që mendojnë se “nuk buzëqesh kurrë” nuk janë gabim. Ajo shpjegon arsyen e çuditshme pas kësaj: “Ja e vërteta. Kam dukur e trishtuar për gjithë këto vite sepse sa herë që jemi në tapetin e kuq, ky tip (David Beckham) qëndronte gjithmonë në anën e majtë”, tha ajo me humor.

Më pas shtoi: “E kuptova se kur buzëqesh nga ana e majtë, dukem mirë. Por nëse e bëj nga e djathta – dukem sikur jam e sëmurë! Prandaj po, unë buzëqesh, por nga brenda… thjesht askush nuk e sheh këtë”.

“Kjo është arsyeja pse dukem gjithmonë serioze,” pranoi ajo me sinqeritet.

Në vazhdim të dokumentarit, Victoria flet edhe për pasiguri më të thella, duke kujtuar periudhën para vitit 1994, kur iu bashkua grupit Spice Girls: “Kam qenë e ngacmuar, e pasigurt, jo shumë shoqërore… Nuk ndihesha pjesë e askujt. Doja me dëshpërim që njerëzit të më pranonin dhe të më donin”, tha ajo me emocione.

Edhe David Beckham konfirmon këtë ndryshim te bashkëshortja e tij: “Kur e takova për herë të parë, Victoria ishte e buzëqeshur, e gjallë, plot vetëbesim… por me kalimin e kohës, ajo pjesë e saj u zbeh”.

Pas shpërbërjes së grupit Spice Girls në vitin 2001, Victoria ndjeu se kishte nevojë për “një qëllim të ri në jetë”, por e shqetësonte mënyra si e perceptonte publiku.

“Nuk dua të jem ajo personi që quhet ‘ajo e mjerueshmja’. Do të doja të kisha vetëbesimin për të buzëqeshur në tapetin e kuq, por thjesht nuk mundem,” tha ajo.

Dokumentari në tre pjesë ndjek jetën e Victorias – nga ditët e saj në Spice Girls, te romanca me Davidin, e deri te suksesi si dizenjuese mode dhe përgatitjet për Javën e Modës në Paris. Ndryshe nga dokumentari i bashkëshortit, që trajtoi edhe tema delikate si thashethemet për tradhti, seria e Victorias përqendrohet plotësisht te jeta e saj personale dhe sfidat që ka përballuar.

Çifti ka katër fëmijë: Brooklynin (26), Romeon (23), Cruzin (20) dhe Harperin (14). Vlen të përmendet se Brooklyni nuk shfaqet në dokumentar, në mesin e zërave për një përplasje të mundshme mes familjes Beckham dhe bashkëshortes së tij, Nicola Peltz – një temë që megjithatë nuk përmendet në film.

Të ngjashme