Vihet gurëthemeli i shkollave në Magurë e Pjetershticë

Prishtinë | 18 Nën 2016 | 16:08 | Nga

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar kanë vënë gurëthemelin e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Bajram Haradini” në Magurë të Lipjanit dhe Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Idriz Ajeti” në Pjetershticë të Shtimes.

Ministri Bajrami, me rastin e vënies së gurëthemelit në fshatin Magurë, tha se ndjehet i gëzuar që ka rastin të vejë gurëthemelin e kësaj shkolle, e cila ka një traditë prej disa dekadave në edukimin dhe arsimimin e brezave.

Bajrami theksoi se, objekti i ri i shkollës do të jetë modern dhe do të ofrojë kushte të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie, ndërkaq ka përgëzuar të gjithë mësimdhënësit për kontributin e tyre të dhënë në përgatitjen e gjeneratave të reja.

Ai po ashtu u zotua se, së bashku me ministrin Yagcilar do të angazhohen që shkolla të përfundojnë në afatin e duhur kohor dhe të pajiset me infrastrukturë moderne, e cila do të mundësojë mësim cilësor.

Ndërkaq, me rastin e vënies së gurëthemelit në Pjetershticë të Shtimes, ministri Bajrami tha se, po vihet gurëthemeli për ndërtimin e një shkolle të re në një hapësirë të bukur, shkollë e cila është meritë për kontributin e banorëve të dhënë gjatë kohës së luftës, si një ndër qendrat kryesore të kësaj ane.

“Nëse kjo trevë dikur ka qenë qendër e rezistencës, tash mund të jetë një aset i bukur turistik, ku njerëzit do të kenë dëshirë të kthehen të jetojnë, do të kenë shkollën e re, në të cilën nxënësit do të përgatiten për të qenë të zotë në profesione të ndryshme“, u shpreh ministri Bajrami.

Në ceremoninë e vënies së gurëthemeleve të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Arsimit,  Agim Berdynaj dhe deputetët zSelvie Halimi dhe Naser Osmani, ndërkaq të pranishmit i kanë përshëndetur me fjalë rasti kryetarët e komunave përkatëse,  Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit dhe  Naim Ismajli, kryetar i Komunës së Shtimes.

foto-gurthemeli

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme