Me rastin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në Bllacë u vu gurthemeli i Qendrës Përkujtimore për Gjenocidin Serb mbi Shqiptarët “Bllaca ’99”, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se Qendra Përkujtimore e Bllacës 99-të flet me zërin e ndërgjegjes kundër harresës.
“Sot po e vejmë gurthemelin e një shtëpie të jashtëzakonshme. Një shtëpi që do jetë shtëpi e kujtesës kolektive, që do tregoj sa e shtrenjtë është liria. Po e ngrisim këtë qendër në Bllacë që flet me zërin e ndërgjegjes kundër harresës. Jemi sot për respekt të rezistencës të atyre 44 mijë shqiptarëve. Faleminderit shqiptarë për bukën dhe ujin, për strehën dhe shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve me qindra të vrarë”, tha ai.
Haradinaj tha se sot po vendoset një shenjë e cila do shërbejë si vërejtje që bota e lirë mos ta lejojë spastrimin etnik si dhe historia mos të përsëritet.
“Edhe sot kur po e vendosim një shenjë e cila do shërbejë si vërejtje që bota e lirë mos me leju spastrimin etnik pasi që kush nuk mëson nga historia ajo do përsëritet. Kosova e ngritë këtë muze si falënderim të përjetshëm të botës demokratike. Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës”, u shpreh Haradinaj.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se e kaluara nuk duhet harrohet pasi nëse ajo harrohet do jetë e vështirë të ndërtohet e ardhmja.
“Ky tren dhe kjo ngjarje na kujton të gjithë neve që të kaluarën mos ta harrojmë pasi nëse harrohet ajo vështirë që mund të ndërtojmë të ardhme. Ky moment vërtetë është një moment i rëndësishëm dhe duhet përgëzohet iniciativa e kryeministrit dhe ekzekutorëve sepse kështu nuk harrohet e kaluara dhe nuk lejohet që të përsëritet ajo”, tha Aliu, raporton EO.
Kryetari i Hanit të Elezit, Refki Suma, tha se Bllaca dhe eksodi 99 duhet t’i mësojë gjeneratat e Ballkanit që këto ngjarje nuk bën të ndodhin sepse janë kundër vlerave njerëzore.
“Dosja e gurthemelit të këtij memoriali përpos që ka vlerën historike, ajo përmban një vlerë të trashëgimisë të natyrës gjenocidiale. Bllaca dhe eksodi 99 duhet t’i mësojë gjeneratat e Ballkanit që këto ngjarje nuk bën të ndodhin sepse janë kundër vlerave njerëzore. Me sytë tanë kemi parë tmerrin që forcat serbe e kanë bërë në këtë anë, si dëshmi kemi trupat e gjetur në lumin Ibër-Lepenc”, tha Suma.
Këtu u shfaq edhe një ekspozitë me fotografi të ndryshme nga eksodi i kosovarëve i vitit 1999, përderisa u vendos edhe treni si muze.
Në fund të ceremonisë u bë edhe mbjellja e 99 fidanëve.