Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, ka pranuar se është ndjerë i lënduar nga fishkëllimat e tifozëve të vet në ndeshjet e fundit. Në tri paraqitjet e fundit në “Santiago Bernabeu”, Vinicius është fishkëlluar nga publiku, edhe pse këto reagime u zbehën të martën mbrëma pas një paraqitjeje të shkëlqyer ndaj AS Monacos, ku u shpall lojtari i ndeshjes.
Duke folur pas takimit, Vinicius shpjegoi se reagimi i tifozëve ka ndikuar thellë tek ai.
“Më bën shumë të trishtuar. Nuk dua të fishkëllehem në shtëpi, aty ku ndihem shumë rehat. Dhe në ndeshjet e fundit nuk jam ndier rehat, sepse sa herë luaja keq apo bëja diçka gabim, ata më fishkëllenin. Por ata kanë të drejtë. Ata paguajnë një biletë shumë të shtrenjtë për këtë. Nuk e kuptoj, por jam këtu për të vazhduar të përmirësohem dhe për të luftuar gjithmonë për këtë skuadër dhe për këtë klub që më ka dhënë kaq shumë”, tha ai për TNT Sports Brasil.
Shumëkush e ka konsideruar humbjen e Topit të Artë në fund të vitit 2024 si pikën e kthesës, pas së cilës paraqitjet e Viniciusit filluan të bien. Vetë braziliani tha se nuk mund të bëjë asgjë për zërat se kishte pasur rol në largimin e Xabi Alonsos, por pranoi se gjatë vitit të fundit nuk ka luajtur në nivelin e tij më të mirë.
“Nuk ka asgjë që mund të bëj, asgjë. E vetmja gjë që mund të bëj në fushë është të dal dhe të jap gjithçka. Nuk do të jem gjithmonë në formën time më të mirë teknike, por gjithmonë kam dhënë maksimumin për ekipin, kam bërë gjithçka të mundur që të gjithë të ndihen rehat. Kur të tjerëve u mungojnë golat, përpiqem të jap asistime; kur duhet të mbroj, përpiqem të mbroj. Sigurisht, nuk jam mbrojtësi më i mirë i ekipit; ka lojtarë të tjerë për këtë.”
“Por media thotë çfarë të dojë, tifozët mendojnë dhe e kuptojnë se duhet të më kritikojnë, por besoj se mënyra më e mirë për t’u përmirësuar është të kthehem në shtëpi dhe të pritem nga njerëzit këtu në Bernabeu, nga tifozët më të mirë në botë, siç e kam thënë gjithmonë, që kërkojnë shumë nga lojtarët. Duhet të jem në nivelin tim më të lartë në çdo moment. Viti i fundit ka qenë i vështirë për mua, sepse nuk kam mundur të luaj siç dua, por është gjithmonë e rëndësishme të vazhdoj, sepse dua të qëndroj këtu për një kohë të gjatë.”
Në sfond mbetet çështja e kontratës së tij. Vinicius ka edhe 18 muaj kontratë dhe publikisht ka shprehur dëshirën për të qëndruar në “Bernabeu”, pavarësisht se kohët e fundit është shndërruar në “armikun” e skenës. Ai e përsëriti këtë dëshirë dhe theksoi marrëdhënien e fortë me presidentin Florentino Perez.
“Ka edhe shumë biseda për rinovimin e kontratës sime, por më ka mbetur edhe një vit tjetër. Jemi shumë të qetë për këtë. I besoj presidentit, ai më beson mua, kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe do t’i zgjidhim gjërat në kohën e duhur; nuk kemi nxitim.”
Të mërkurën u raportua se agjenti Federico Peña ndodhet tashmë në kryeqytetin spanjoll dhe bisedimet për rinovimin e kontratës mund të rifillojnë së shpejti. Pavarësisht nëse Vinicius kishte apo jo rol në largimin e Alonsos, mendohet se ikja e këtij të fundit nga posti i trajnerit mund të lehtësojë negociatat, të cilat kanë qenë të bllokuara prej shtatë muajsh.