Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nuk do të jetë pjesë e mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tij partiak.
Këtë e ka konfirmuar vet Ymeri, përmes një njoftimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ndërsa shkruan:
”Me keqardhje ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo mbledhje, edhe pse proceduralisht dhe në aspektin e statutit, nuk ka asnjë shkelje, po ndodh në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për organizatën tonë”, është shprehur Ymeri ndër të tjera.
Njoftimi i plotë i Ymerit:
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,
Së pari ju uroj për punën dhe angazhimin gjatë tërë këtij viti. Nuk ka qenë vit i lehtë për ne. Jemi ballafaquar me shumë sfida të jashtme. Dy procese zgjedhore me pak muaj në mes, e në të cilat Lëvizja VETËVENDOSJE! ka korrur rezultat të paprecedent. Për këtë ju uroj e përgëzoj të gjithëve e secilin. Puna e angazhimi i secilit prej jush e ka mundësuar këtë rezultat. Por gjatë këtij viti jemi përballur edhe me përndjekjen makabër të pushtetit ndaj nesh. 4 aktivistë tanë, Frashëri, Atdheu, Egzoni dhe Adea, u dënuan padrejtësisht e pafajsisht përmes një procesi të montuar policor e gjyqësor me plotë 21 vite e gjysmë burg. Frashëri, Atdheu e Egzoni nuk arritën t’i gëzohen në liri rezultatit tonë në zgjedhjet lokale, për të cilin ishin angazhuar aq shumë. Katër deputetë tanë, Albini, Donika, Albulena e Fatoni po gjykohen po ashtu padrejtësisht. Nga po i njëjti gjykatës që i dënoi aktivistët. Albini dhe Donika po mbahen në burg, dhe nuk do të mund të jenë në mesin tuaj.
Me keqardhje ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Përgjithshëm. Kjo mbledhje, edhe pse proceduralisht dhe në aspektin e statutit, nuk ka asnjë shkelje, po ndodh në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm për organizatën tonë.
Ka më shumë se një vit që kur ballafaqohemi me disa probleme të brendshme të cilat tash së fundi, fatkeqësisht, janë bërë edhe publike e mediatike. Mënyra e shprehjes së deputetes Aida Dërguti është edhe e papranueshme, edhe e dënueshme. Aida, përveç kërkim faljes, ka dhënë dorëheqje edhe nga pozitat drejtuese në Lëvizjen VETËVENDOSJE! Këtë e përshëndes. Por në asnjë mënyrë nuk e mbështesë e as pranoj linçimin publik që i bëhet Aidës a kujtdo qoftë nga grupe të organizuara të aktivistëve. Këto nuk i shoh qëllimmira e as në dobi të organizatës.
E kam parë në interes të organizatës dhe të zgjidhjes së drejtë e me sa më pak dëme të problemit, që diskutimet për të bëhen në grupe më të vogla e në kryesi, në mënyrë që aktivistët e anëtarët të mos i ekspozohen bisedave të tilla aspak të këndshme e as dobiprurëse. Kam menduar që sa më shumë që të përhapet ky problem, aq më vështirë do të zgjidhet, e aq më shumë do të pësojë dëme Lëvizja VETËVENDOSJE! e uniteti në të. Prandaj edhe këtë mbledhje e shoh të ngutshme në këtë aspekt.
Të gjithë ju e keni ndjekur me vëmendje se si kanë rrjedhur gjërat kohëve të fundit. Shumë prej jush jeni të njoftuar pjesërisht, kush më shumë e kush më pak, për atë që ka ndodhur e që vazhdon të ndodh. Tash së fundi përplasjet mes aktivistëve kanë arritur një nivel të ri shqetësues. Mbajtjen e mbledhjes në këtë situatë të tendosur, me delegatët jo të informuar mirë, ose të gjysëm informuar, e shpesh herë të keqinformuar, nuk e shoh si mënyrë për ta zgjidhur problemin. Uroj që të mos e thellojë atë.
Nuk ka kurrfarë nevoje për këtë nguti të thirrjes së mbledhjes në këtë mënyrë. Nuk kemi asnjë nguti që ta mbajmë mbledhjen në këtë gjendje e me këto ndasi. Zgjedhjet e brendshme duhet të mbahen. Ato nuk mund të ndalen, edhe po të kishte pasur qëllime për një gjë të tillë. Lëre më që qëllim të tillë nuk ka pasur e nuk ka askush. Mandati i strukturave aktuale drejtuese të nivelit të tretë skadon në fund të shkurtit. Asnjë ditë më shumë nuk mund të qëndroj si Kryetar i Lëvizjes, e as si kryesi me përbërjen aktuale. Kemi pasur mundësi që këtë mbledhje të Këshillit ta mbajmë në janar të vitit të ardhshëm. Në këtë kohë do ta kishim përbërjen e plotë të Këshillit. Një pjesë të problemeve të brendshme do t’i kishim të adresuara. Dhe do të vinim në Këshill të gjithë me një pasqyrë më të qartë për atë se çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur, dhe se si do të ecim para.
E thashë edhe më herët: ky problem nuk është tash e një javë. Ka filluar më shumë se një vit më parë. Gjatë kësaj kohe kam parë diçka që nuk më pëlqen, që nuk e mbështesë, një metodë që e dëmton shumë organizatën tonë: metodën e eliminimit politik. Kjo metodë është e dëmshme sepse është informale. Është e padrejtë sepse bazohet në shpifje e insinuata. Është e panevojshme sepse Lëvizja i ka organet e veta edhe disiplinore edhe statutore të cilat kanë potencialin dhe vullnetin për ta mbrojtur secilin prej aktivistëve nga cenimi i integritetit, dhe për ta mbrojtur organizatën nga ata që duan ta dëmtojnë atë. Kjo mënyrë e funksionimit të organizatës është tejet e dëmshme dhe e rrezikshme. Si e tillë nuk na duhet. Sepse ajo e shkatërron besimin e ndërsjellë mes aktivistëve të cilin e kemi kultivuar për një kohë të gjatë. Besimi mes nesh, krahas besnikërisë ndaj konceptit, janë dy shtyllat kryesore të Lëvizjes sonë. Pa to ajo nuk mund të jetë e njëjtë. Kjo metodë e shkatërron kohezionin në organizatë. Pa këtë kohezion Lëvizja nuk rri e bashkuar. E kur nuk është e bashkuar Lëvizja nuk është e fortë. E kur nuk është e fortë humbim të gjithë. Jo vetëm ne, por e tërë Kosova.
Natyrisht që njerëzit e angazhuar edhe gabojnë. Dhe gabimet duhen vënë në pah dhe duhen trajtuar. Por të trajtohen si gabime. Në momentin kur gabimit i mveshet dyshimi për motivet, kur nuk ka kurrfarë arsye për një gjë të tillë, atëherë gabimi merr tjetër kuptim. Dhe trajtohet ndryshe. Dhe nuk gjen zgjidhje. Vetëm sjellë probleme të reja. Vetëm sa na largon nga njëri tjetri.
Kam qenë i përfshirë në tentim zgjidhjen e tij me tërë kapacitetin tim edhe politik edhe intelektual edhe aktivistë. Fatkeqësisht nuk kam arritur. Sepse nuk ka pasur vullnet për zgjidhje. Ose më mirë thënë nuk ka pasur vullnet për të pranuar propozimet për zgjidhje. Unë nuk dua tash të flas për detajet as të problemit e as të zgjidhjes. Sepse njëri prej personave të përfshirë në të, Albini, i burgosur, nuk mund të marrë pjesë në këto diskutime. Duke qenë që pjesën më të madhe të diskutimit për këtë çështje e kam bërë me të, nuk dua të flas publikisht pa pasur mundësi ta flas edhe një herë me të.
Prandaj edhe kam insistuar edhe në kryesi që kjo çështje të mos hapet pa qenë i pranishëm edhe Albini në mesin tonë. Por ja që kjo kërkesë e imja nuk u përfill. Nuk e di se kujt po i ngutet dhe pse. Por kjo nguti, kam dronë, mund t’i sjellë organizatës sonë dëme të pariparueshme. Prapë, uroj ta kem gabim.
Sidoqoftë Juve ju uroj punë të mbarë. Kërkoj nga ju që ta keni parasysh situatën në të cilën ndodhemi. Asnjë dobi nuk kemi nga reagimi emocional e impulsiv. Nganjëherë duke menduar që po bëjmë mirë, mund të bëjmë dëme të paqëllimshme. Sikur në këtë rast. Në parim ju jeni të thirrur në mbledhje që ta mbroni dhe kultivoni demokracinë brënda organizatës. Natyrisht se nuk mund ta gjesh një delegat të Këshillit i cili do ta pranonte një Lëvizje që nuk është demokratike. Por po ashtu duhet të jemi të vetëdijshëm që demokracia, procedurën e ka mjet zbatimi për të vërtetën e politikës dhe politikën. Nuk mund të jetë e kundërta. Demokracia as nuk nis si procedurë e as nuk reduktohet në të. Procedura vjen pas demokracisë e jo anasjelltas. Demokracia për të qenë edhe e vërtetë dhe për ta mundësuar të vërtetën në politikë, duhet të ndodh në kushte të përshtatshme për të. Nuk ka e nuk mund të ketë demokraci në kushte të histerisë e panikut artificial të krijuar gjatë këtyre ditëve. Demokracia është punë e përditshme dhe ndodh për çdo ditë. Nuk është një akt, a një vendim i Këshillit a kujtdo instance tjetër vendimmarrëse.
Ne si organizatë jemi para një udhëkryqi. Jam i bindur që e kemi potencialin e nevojshëm dhe forcën e domosdoshme për ta kaluar këtë me sukses. Ky problem, varësisht si e zgjidhim, mund të na bëjë shumë më të fortë. Por duhet ta zgjidhim. Dhe ta zgjidhim drejtë. Vetëm kështu zgjidhja e tij do të shërben si mësim e precedentë për të ardhmen. Nesë nuk e zgjidhim drejt atëherë problemi do të na instalohet si metodë e funksionimit organizativ tonit. Kjo do të na dëmtonte shumë. Organizata jonë duhet të jetë organizatë demokratike, e hapur, gjithëpërfshirëse, e qartë konceptualisht e ideologjikisht, me decentralizim të prodhimit intelektual e politik, me udhëheqje të ndershme, me vendimmarrje të hapur, e me vizion të qartë për të ardhmen. Ne duhet ta vazhdojmë rrugën e zhvillimit e të rritjes së organizatës sonë. Askush nuk mundet ta pengojë këtë pavarësisht qëllimeve e interesave. Por jo secila rrugë na shpie atje. Lëvizja VETËVENDOSJE! përbëhet prej aktivistëve e anëtarëve që i bashkon koncepti e programi, ideologjia e praktika politike. Ne të gjithë bashkë i jemi besnik idesë. Jo njeriut. Një organizatë që ka besnikëri ndaj njeriut e jo idesë, devijimin e ka prapa derës. Lëvizja nuk ka devijuar kurrë sepse nuk ka qenë organizatë e tillë. Dhe kështu duhet të mbetet.
Juaji,
Visar Ymeri