Megjithëse gripi sezonal është përhapur në Kosovë, situatë e qetë është në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Drejtori i kësaj klinike, Arben Vishaj ka thënë se nuk kanë asnjë pacient të shtrirë në këtë klinikë.
Sipas tij, fakti që nuk ka pacientë në spital, do të thotë se ky virus sezonal po manifestohet me simptoma të lehta.
“Gripi sezonal duket se është shumë i përhapur në bazë të komunikimit me qytetarë. Mirëpo, ajo që është karakteristike është që asnjë pacientë me grip sezonal nuk është i shtrirë në Klinikën Infektive. Që i bie se po manifestohet me simptoma të lehta”, thotë Vishaj për telegrafin.
Vishaj theksoi se përhapja e gripit sezonal në këtë periudhë është shumë normale.
“Përhapja e gripit sezonal në këtë kohë është dukuri normale, edhe fakti që asnjë pacient me grip sezonal nuk e kemi të shtrirë, nënkupton që është dukuri e zakonshme paraqitja e virozëve dimërore dhe nuk paraqet ndonjë problem për mbarëvajtjen e jetës shoqërore, ose humbje jete ose dëmtim të shëndetit në masë të theksuar”, u shpreh Vishaj.
Tutje, infektologu Vishaj këshilloi që qytetarët t’i respektojnë vendimet e Qeverisë të marra me rekomandim të profesionistëve shëndetësorë, të mbahet maska e të shmangen turmat.
“Kjo është dukuri e zakonshme, gripa ka pasur gjithmonë, ndoshta edhe më shumë. Sa i përket mbrojtjes duhet të shmangen turmat, të përdoret maska në hapësira të mbyllura, të respektohen masat e IKSHPK-së e Qeverisë, këto janë”, u shpreh ai.