Viti 2018 sa i suksesshëm, aq edhe i hidhur për Kosovën me humbjen e legjendës, Fadil Vokrri

Prishtinë | 01 Jan 2019 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Një lajm i zi për futbollin shqiptar, në përgjithësi, dhe atë kosovar në veçanti ndodhi në vitin 2018.

Presidenti historik i FFK-së (Federatës Kosovare të Futbollit), Fadil Vokrri, ndërroi jetë në moshën 57 vjeçare.

Legjenda e futbollit kosovar ndërroi jetë më 9 qershor të vitit që lamë pas, pas një sulmi në zemër, raporton “lajmi.net”.

Si pasojë e një komplikimi shëndetësor, të cilin nuk mundi ta tejkalojë as pasi u dërgua me urgjencë në qendrën kryesore spitalore të vendit, kreu i futbollit kosovar ishte ndarë nga jeta.

Ai ishte dërguar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi i është rënduar gjendja shëndetësore. Menjëherë është dërguar në spital, por situata ka ardhur duke u përkeqësuar dhe ai kishte ndërruar jetë.

Vokrri do të mbetet në histori jo vetëm për talentin dhe karrierën si futbollist, por si presidenti i parë i FFK-së, që mundësoi anëtarësimin e futbollit kosovar në FIFA dhe UEFA. Shteti më i ri i Ballkanit, falë punës së tij këmbëngulëse, garon sot në garat ndërkombëtare.

Kush ishte dhe çfarë bëri Fadil Vokrri në futboll dhe për futbollin kosovar e më gjerë:

Fadil Vokrri u lind më 23 korrik të vitit 1960 në Podujevë.

Me futboll nisi të merret si 15-vjeçar, kurse si 17-vjeçar debutoi në KF “Llapi” në Podujevë. Më pas në vitin 1980 kaloi tek KF “Prishtina”, ku luajti 84 ndeshje dhe shënoi 33 gola me këtë skuadër në Ligën e Dytë, kurse në Ligën e Parë të Jugosllavisë në fanellën e Prishtinës pati 88 paraqitje dhe realizoi 22 gola.

Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola. Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola, shkruan “lajmi.net”.

Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, derisa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi. Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992.

Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vjet për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës. Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish-klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori timonin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.

Më 15 janar, 2016, Vokrrit iu besua mandati i tretë katërvjeçar si president i FFK-së. Ai ishte i diplomuar në Fakultetin e Menaxhmentit dhe Biznesit, kurse përveç gjuhës amtare zotëronte edhe gjuhët frënge, turke dhe serbo-kroate. I ndjeri pas vetës la bashkëshorten Editën dhe tre fëmijët, djemtë Gramozin e Albertin dhe vajzën Albanën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme