Viti 2016 ka qenë shumë i ngjeshur, por edhe i frytshëm për basketbollin kosovar.
Në 2016, Kosova ka debutuar në kualifikime për Eurobasket 2017, derisa për herë të parë ka marr pjesë edhe në Kampionate Evropiane në Divizione C me Përfaqësueset e femrave.
Po ashtu gjatë këtij viti është punuar shumë me kategoritë e reja nëpër Komuna të ndryshme të Kosovës, ku qëllimi ka qenë identifikimi i basketbollistëve dhe basketbollisteve të së ardhmes.
Në nivel të klubeve në 2016 i kemi pasur 2 skuadra në FIBA Europe Cup dhe 4 i kemi në Ligën Ballkanike në konkurrencën e meshkujve, derisa synimi është që në 2017 të kemi edhe një klub të femrave në gara ndërkombëtare.
9 dhe 10 Janar
Është mbajtur Klinika për gjyqtarë dhe vëzhgues të basketbollit. Qëllimi i organizimit të kësaj Klinike ka qenë avancimi në ndarjen e drejtësisë sa më të mirë nga gjyqtarët dhe mbarëvajtja sa më e mirë e garave në të gjitha ligat e FBK-së. Në Klinikë të pranishëm kanë qenë rreth 60 pjesëmarrës (gjyqtarë dhe vëzhgues).
22 dhe 23 janar
Kosova ka zhvilluar ndeshje miqësore me Bullgarinë në të dyja konkurrencat në kategorinë U-16. Përfaqësueset tona në të gjitha ndeshjet kanë regjistruar humbje.
Në Munich, Kosova i ka mësuar kundërshtarët e saj të 6 Përfaqësueseve. E veçantë ka qenë tërheqja e shortit për Përfaqësuesen A të Kosovës, ku ekipi ynë ishte pjesë e Grupit E në kualifikimet historike për Eurobasket 2017 së bashku me Slloveninë, Ukrainën dhe Bullgarinë. Edhe 5 Përfaqësueset e Reja të Kosovës, tri të meshkujve (U-16, U-18, U-20) dhe dy të femrave (U-16 dhe U-18) i mësuan emrat e kundërshtarëve në grupet dhe divizionet e tyre përkatëse.
12 dhe 14 shkurt – Kupa e Kosovës
Kupa e Kosovës në basketboll këtë vit ka ndërruar pronar. Te meshkujt trofeu u kthye pas një viti nga Peja në Prishtinë, kurse te femrat nga Prishtina shkoi në Pejë.
Sigal Prishtina në finale e ka mposhtur Pejën me rezultat 81:78, derisa te femrat Penza ka triumfuar ndaj Prishtinës me shifrat 91:77. Turneu Final i Ipko Kupës së Kosovës është zhvilluar më 12 dhe 14 shkurt në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku organizator ka qenë klubi bardhekaltër.
12 mars
3 qershor 2012 ka qenë data kur Trepça e ka zhvilluar ndeshjen e saj të fundit në palestrën “Minatori” në Mitrovicë dhe atë ndaj Sigal Prishtinës në finalet e “play-off”-it, kurse më 12 mars 2016 ishte data kur skuadra mitrovicase është rikthyer në palestrën tashmë të rinovuar, ku fati deshi që të luaj ndaj rivales së përbetuar, Sigal Prishtinës. Fitore ka regjistruar ekipi bardhekaltër, ndonëse në këtë ndeshje rezultati ka qenë në plan të dytë pasi festa ishte për mitrovicasit, të cilët më në fund pas katër vjetësh u kthyen në folenë e tyre.
13 mars 2016
Është bërë një vit që nga anëtarësimi i FBK-së në FIBA. FBK më 13 mars 2015 u pati bërë anëtarja e 215-të e FIBA-s, në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të FIBA-s, të mbajtur në Gjenevë. Që nga ajo kohë e deri më tani basketbolli kosovar është përballur me sfida nga më të ndryshmet, por në të njëjtën kohë ka provuar edhe aventura të reja ndërkombëtare.
Ndeshja “All Star” – Memoriali “Isuf Lumi” është zhvilluar më 1 prill në palestrën “Minatori” në Mitrovicë. Nuk ka munguar asgjë, duke filluar nga aksionet atraktive, ngulitjet, trepikëshat në castet më delikate të ndeshjes, dhe për të gjitha këto u përkujdesën basketbollistët e të dyja skuadrave që u paraqitën në parket, ajo e vendorëve të Superligës së Kosovës dhe ajo e ndërkombëtarëve të elitës së basketbollit kosovar. Skuadra e ndërkombëtarëve ajo që e siguroi fitoren me rezultat 127:125.
20 prill
Sigal Prishtina e ka mbrojtur titullin e kampionit në Ligën Ballkanike (BIBL) pavarësisht disfatës së pësuar nga Mornar-i në Tivar të Malit të Zi me rezultat 75:68 (23:15, 12:24, 22:8, 18:21), derisa dueli i parë i luajtur në kryeqytet ka përfunduar me rezultat 82:68.
Leart Hoxha, sekretar i përgjithshëm i FBK-së ka marr pjesë në takimin vjetor të të sekretarëve të përgjithshëm të FIBA Evropës të organizuar në Munich. Në kuadër të kësaj mbledhjeje vjetore të sekretarëve të përgjithshëm të federatave Hoxha ka pasur edhe një sërë takimesh tjera.
30 prill
Rahoveci e ka mposhtur Dritën në ndeshjen e tretë finale të play-off-it në Ligën e Parë të Meshkujve dhe kështu është shpallur kampion i këtij rangu të garave, duke e fituar edhe të drejtën për të garuar në Superligën e Kosovës në edicionin e ri garues 2016/17.
8 maj
Basketbollistet e Prishtinës janë shpallur kampione të Kosovës për edicionin 2015/16 në Ligën e Femrave. Skuadra bardhekaltër e ka mposhtur Penzën në “Karagaci” të Pejës në ndeshjen e tretë finale të play-off-it. Në këtë mënyrë Prishtina e ka mbrojtur titullin e fituar një edicion më parë.
14 dhe 15 maj
Anëtari i Bordit i FBK-së, Valton Bilalli dhe sekretari i përgjithshëm, Leart Hoxha kanë marr pjesë në Konventën e Mini-Basketbollit që është mbajtur në Bruksel.
23 maj
Sigal Prishtina është shpallur kampione e Kosovës për edicionin 2015/16 pasi e ka mposhtur Pejën në ndeshjen e pestë finale të “play-off”-it në Superligën e Kosovës. Takimi i luajtur në “Karagaçi” në prani të rreth 3000 shikuesve dhe në një atmosferë fantastike ka përfunduar me shifrat 70:65 (3:2). Pesë ndeshjet finale të “play-off”-it kanë qenë të ndjekura në dy palestrat në Prishtinë dhe Pejë nga mbi 15 mijë shikues.
7 qershor
Me 37 vota pro dhe vetëm 1 kundër, Erolld Belegu e ka fituar edhe një tjetër mandat (2016-2020) në postin e kryetarit të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur më 7 qershor në Prishtinë.
18 qershor
Justin Doellman, aloja e FC Barcelona ka pranuar të jetë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës në basketboll. Ky lajm u pati konfirmuar pas takimit që kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli e kanë pasur në Barcelonë me lojtarin. Belegu dhe Bilalli ishin mysafirë të kryetarit të FC Barcelona-s, Josep Maria Bartomeu në ndeshjen e dytë të finales së play-off-it të Ligës ACB ndërmjet Barcelona-s dhe Real Madrid-it.
30 gusht
Përfaqësuesja A e Kosovës ka debutuar në kualifikimet historike për Eurobasket 2017 në ndeshjen kundër Sllovenisë në Ljubljanë në kuadër të Grupit E. Në këtë ndeshje Kosova pati pësuar humbje me shifrat 113:68. Ndërkaq në takimin e parë të luajtur si vendas në “Mitrovicë”, Kosova është mposhtur në minutat e fundit nga Ukraina me rezultat 70:63. Në takimet tjera janë arritur këto rezultate: Bullgaria – Kosova 105:84, Kosova – Sllovenia 81:91, Ukraina – Kosova 100:61, Kosova – Bullgaria 62:67. Pjesëmarrja në kualifikime për Eurobasket 2017 ka qenë sukses në kuptimin e organizimit, logjistikës, kurse paraqitja e Justin Doellman-it, Scott Bamforth-it, por edhe Shawn Jones-it për Përfaqësuesen e Kosovës e ka përforcuar pozitën e Kosovës në hartën evropiane të basketbollit.
2 deri më 4 shtator 2016
24 dhe 25 shtator
Në organizim të FBK-së dhe Shoqatës së Gjyqtarëve të FBK-së (SHGJFBK) është mbajtur Klinika për gjyqtarët dhe vëzhguesit e basketbollit, ku udhëheqës i saj ishte Drejtori i Departamentit për Gjyqtarë në FIBA Europe, Davorin Nakiç, i cili është ndarë shumë i kënaqur me organizimin, testet nga njohja e rregullave, testimet fizike si dhe me interesimin shumë të madh të gjyqtarëve, vëzhguesve, trajnerëve, të cilët ishin prezent për këtë Klinikë të hapur.
1 dhe 2 tetor
Është mbajtur seminari për trajnerë të basketbollit, organizuar nga Shoqata e Trajnerevë dhe Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK). Në seminar kanë marr pjesë mbi 60 trajnerë nga klube të ndryshme të Kosovës. Ligjerues në këtë seminar ishin Vladislav Luçiç dhe Aleksandar Lukman.
4 tetor
FIBA i ka licencuar 5 mbajtës të statistikave pas seminarit të mbajtur në Prishtinë, të organizuar nga FBK dhe FIBA. Në seminarin në Prishtinë ka ligjeruar mbajtësja e statistikave nga FIBA, Maruta Eglite.
21 tetor
Kryetari i FBK-së, Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Valton Bilalli kanë qëndruar në Sofje të Bullgarisë me ftesë të FIBA-s. Gjatë qëndrimit në Sofje, Belegu dhe Bilalli janë takuar me shefin e Departamentit të Trajnerëvë në FIBA Europe, Michael Schëarz. Tema e takimit ndërmjet Belegut/Bilallit dhe Schëarz-it ka qenë modalitetet e themelimit të një programi kombëtar për licencimin e trajnerëve kosovarë. Schëarz dhe FIBA Europe janë shprehur të gatshëm të ndihmojnë FBK-në në avancimin e trajnerëve vendor.
1 deri më 6 nëntor
12 nëntor
FBK për herë të parë ka startuar me Ligën U-16 në konkurrencën e femrave. Deri te organizimi i kësaj lige ka ardhur pas interesimit të klubeve të qyteteve të ndryshme për të filluar me këtë projekt, por në të njëjtën kohë starti i kësaj lige dëshmon edhe rritjen e interesimit të vajzave të reja për të praktikuar basketbollin. Liga U-16 është e ndarë në dy grupe, A dhe B.
10 dhjetor
Në Pragë të Çekisë është bërë tërheqja e shortit për garat në nivel të Përfaqësueseve për vitin 2017, ku Përfaqësuesja A e Kosovës i ka mësuar emrat e kundërshtarëve të saj në parakualifikimet për Kupën e Botës 2019 që do të zhvillohet në Kinë. Në parakualifikime Kosova do të jetë pjesë e Grupit C, ku do të bëjë gara me Estoninë dhe Maqedoninë. Ekipet do të zhvillojnë ndeshje sipas sistemit vajtje – ardhje në muajin gusht të vitit të ardhshëm dhe dy ekipet më të mira të grupit do të marrin pjesë në kualifikime për Kupën e Botës 2019. Në kualifikime për Kupën e Botës marrin pjesë 32 kombëtare nga Evropa, kurse në Kupë të Botës marrin pjesë 12 ekipe nga kontinenti ynë. Edhe 5 Përfaqësueset e Reja të Kosovës, tri të meshkujve (U-16, U-18, U-20) dhe dy të femrave (U-16 dhe U-18) i mësuan emrat e kundërshtarëve në grupet dhe divizionet e tyre përkatëse.