Komuna e Vitisë dhe Komuna e Kamenicës nuk kanë program social për familjet me gjendje të rëndë sociale.
Komuna nuk ka ndarë buxhet as këtë vit sa u përket zgjidhjes së problemit të strehimit dhe buxhetit për meremetim dhe ndërtimin e shtëpive.
Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Kamenicës pranon se në buxhetin e vitit 2019 nuk kanë ndarë mjete financiare sa i përket programit për ndihmë të familjeve me gjendje të rëndë sociale.
Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Dritan Maliqi, deklaron se komuna në mungesë të mjeteve financiare ata nuk kanë arritur që të implementojnë një program, i cili do të lehtësonte jetën e banorëve.
Megjithatë, pranon se ka shumë raste të cilat kanë nevojë për përkrahjen e komunës, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në Komunën e Vitisë afro 60 shtëpi janë ndërtuar për familjet në nevojë nga diaspora shqiptare brenda 4 vjetëve.
Kurse qeverisja komunale në këtë aspekt nuk ka pasur ndonjë rol të madh, ngase nuk ka participuar me mjete financiare.
Por drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Basri Aliu është shprehur se ata nuk munden të ndihmojnë në të gjitha rastet të cilat adresohen.
Ai pranon se nuk kanë buxhet të ndarë për programin social.