Ministria e Shëndetësisë, me rastin e muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se kontrollet e shpeshta në rast të ndryshimeve dhe mamografia janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.
Ai ka thënë se në dy vitet e fundit, mbi 50 për qind e grave të diagnostifikuara me kancer të gjirit kanë qenë në stadin e parë ose të dytë. Kjo sipas tij, tregon vetëdijesimin te gratë dhe rritë mundësitë për një trajtim të suksesshëm.
“Vetë kontrollet e shpeshta në rast të ndryshimeve dhe mamogarfia janë shumë të rëndësishme për parandalimin dhe shërimin e kancerit të gjirit. Vitin e kaluar për herë të parë filluam me shërbimin e mamografisë mobile ne komunat veriore. Jemi duke punuar edhe në decentralizmin e onkologjisë ne vende të tjera. Lista e barnave esenciale është zgjeruar tani në 60 milionë euro, vetëm ne onkologji janë 5 milion euro”.
“Operacionet për rikonstruktimin e gjirit ofrohen falas në shëndetësinë publike. Inkurajoj të gjitha gratë edhe burrat që të konsultohen vazhdimisht me mjekun e tyre. Pjesa thelbësore mbete ndërgjegjësimi dhe vetë kontrolli. Është lajm shumë i mirë se gjatë dy viteve të fundit kemi pasur rritje në zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, mbi 50 për qind e grave të diagnostifikuara me këtë sëmundje janë në stadin e parë dhe dytë gjë që tregon vetëdijesimin te gratë por rrit edhe mundësit për një trajtim të suksesshëm”, ka thënë ai.
Një nga të mbijetuarat e kancerit të gjirit, njëherësh drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, Nafije Latifi, ka thënë se sot në Kosovë gratë e kanë të mundshme diagnostikimim dhe trajtimin e kompletuar të kancerit të gjirit.
“Sfida ime me kancer të gjirit filloi para 20 vitesh. Ishte rrëfimi i parë publik sepse tema ishte tabu, ishte rrëfimi me qëllim vetëdijësimin dhe informimin për sëmundjen dhe nevojën e kontrollit. Sot nëpër këto sfida kalojnë çdo vit rreth 450 gra me raste të reja. Por këto gra kanë fat sepse sot në Kosovës është i mundhsëm diagnostikimi dhe trajtimi i kompletuar i kancerit të gjirit, edhe pse ka nevoje ende për përmirësim të kushteve”, ka thënë ajo.
Edhe drejtoresha e Radiologjisë në QKUK, Shekndije Nuza, ka thënë se është shumë i rëndësishëm diagnostikimi i hershem i kësaj sëmundjeje. Ajo ka theksuar se kanceri i gjirit mund t’i prek edhe burrat, jo vetëm gratë.
“Kanceri i gjirit prek jo vetëm vetëm gratë, që është një në 8 gra që sulmohen nga kanceri i gjirit, por është sëmundje që prek edhe gjinin mashkullore. Dedektimi i hershme i kanceri shpëton jetë. Ne duhet gjithmonë t’i kushtojmë një rendësi të madhe atyre që janë prekur”, ka thënë ajo.
Drejtori i Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci, tha se klinika e tij është e përgatitur me metoda më të sofistikuara në rajon.
“Kirurgjia Torakale është e pajisur me metoda që kane edhe shtet e tjera në rajon dhe besoj që të gjithë ata që kanë nevojë për intervenime kirurgjike do ta gjejnë një ekip mjaftë të përgatitur. Ne kemi rezultatet tona që janë shumë të mira”, u shpreh ai.