Gjatë takimit të Kryetarit Haliti me Kryeministrin Mustafa premtohet rishikimi i kyçjes në Autostradën Prishtinë-Shkup
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është pritur sot në takim nga kryeministri Isa Mustafa dhe nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku.
Gjatë këtij takimi kryetari Haliti ka kërkuar nga kryeministri Mustafa dhe ministri Zharku që të sigurohet kyçja në autostradën Prishtinë-Shkup “Arben Xhaferi” pasi që kjo gjë nuk është vetëm në interes të komunës së Vitisë, por edhe të komunave si: Ferizaj, Kaçanik por edhe të lokaliteteve të tjera.
Sipas kryetarit Haliti ata kanë arritur një mirëkuptim që gjatë rishikimit të buxhetit të rishikohet çështja e kyçjes në autostradë në fshatin Gërlicë.
“Në këtë takim kemi marrë pjesë me nismën time dhe në veçanti kemi biseduar për kyçje në autostradë jo vetëm të qytetarëve vitias por edhe të lokaliteteve të komunave të tjera. Por kuptohet se kjo kyçje ka një rëndësi të veçantë për komunën tonë dhe fatmirësisht kemi arritur një mirëkuptim me kryeministrin që me rishikimin e buxhetit të bëhet edhe rishqyrtimi për kyçje në fshatin Gërlicë”, u shpreh Haliti.
Ai tha se beson fuqishëm se Kryeministri Mustafa duke e ditur rëndësinë që ka kyçja në autostradë do të siguron që të bëhet një gjë e tillë. Kurse në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari komunës së Ferizajit, Muharrem Svarça.