Është konfirmuar vendimi nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës se qytetarët e komunës së Vitisë do të kenë mundësinë e kyçjes në autostradën Prishtinë-Shkup në fshatin Gërlicë.
Sot është mbajtur takimi i Komitetit Drejtues Ndërministror për Autostradën R6, Prishtinë-Hani i Elezit, në të cilin morën pjesë ministri i Infrastrukturës në detyrë njëherit kryetar i Komitetit Ndërministror, Lutfi Zharku, ministri i Financave ë detyrë, Avdullah Hoti dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në detyrë, Hykmete Bajrami.
Në këtë takim u shqyrtuan kërkesat për kyçje të reja në autostradën “Arbër Xhaferi” e parashtruara nga 10 deputetë nga komuna e Ferizajt, kryetari i komunës së Ferizajt dhe kryetari i Komunës së Vitisë.
Pas shqyrtimit të kërkesave për kyçje të reja, në këtë takim, u vendos që në parim të përkrahet ndërtimi i dy kyçjeve të reja në rrugën R6, Autostradën Prishtinë- Hani i Elezit, njëra për komunën e Ferizajt, në kuadër të segmentit kyçja Babush deri në kyçjen Bibaj, si dhe tjetra për komunën e Vitisë në kuadër të segmentit kyçja Bibaj deri në kyçjen Doganaj.
Kryetari i komunës Sokol Haliti duke përshëndetur këtë vendim, ka theksuar se ky vendim ka qenë domosdoshmëri dhe vije pas konsultave të Institucioneve komunale më Qeverinë e Kosovës. Ai ka uruar qytetarët për këtë vendim i cili do të u mundësoj atyre një kyçje më të lehtë të qarkullimit çoftë për Shkup apo Prishtinë.