Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në seancën e jashtëzakonshme ka prezantuar Projektligjin për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, raporton Ekonomia Online.
Vitia theksoi rëndësinë e tij për reformimin e sistemit shëndetësor në vend.
“Ky ligj pritet të përmirësojë ndjeshëm sistemin shëndetësor në vend. Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët e vendit. Me sigurimin e detyrueshëm, çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë. Ky ligj do të mundësojë një burim të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm të të ardhurave për sektorin e shëndetësisë, duke zvogëluar varësinë nga burimet e përkohshme dhe duke siguruar fondet e nevojshme për investime afatgjata në pajisje, infrastrukturë dhe trajnim të personelit mjekësor”
Ai shtoi se ligji synon uljen e kostove për qytetarët dhe forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor përmes një baze më të gjerë financimi.
“Duke pasur një bazë më të gjerë kontribuuesish dhe një sistem të qëndrueshëm financimi, ky ligj do të ndihmojë në uljen e kostove të kujdesit mjekësor për individët dhe në përmirësimin e standardeve të shërbimit për qytetarët tanë. Gjithashtu, do të reduktojë rrezikun e falimentimit për shkak të shpenzimeve shëndetësore. Ligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor do të mundësojë një fokus më të madh në parandalimin e sëmundjeve dhe promovimin e shëndetit publik. Me një bazë financimi të përbashkët, do të ketë mundësi për të investuar më shumë në programet parandaluese dhe ndërgjegjësuese”, tha ai.
Vitia gjithashtu bëri të ditur se projektligji është hartuar pas një procesi të gjerë konsultimesh me institucione dhe organizata vendore e ndërkombëtare.
“Në fazën e konsultimeve, Ministria ka pranuar komente nga Zyra për Planifikim Strategjik nga Zyra e Kryeministrit të vendit, nga Banka Botërore (Zyra në Kosovë), UNHCR-ja, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Byroja Kosovare e Sigurimit, Asociacioni i Spitaleve Private të Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, dhe janë reformuluar dispozitat juridike me ATK-në, Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Financave”
Sipas tij, ligji rregullon të gjithë sistemin e sigurimit të detyrueshëm shëndetësor dhe krijon Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
“Me këtë projektligj rregullohet sistemi i sigurimit të kujdesit shëndetësor të detyrueshëm, duke përfshirë parimet, funksionet, të drejtat e përgjegjësitë e palëve të përfshira, personat e siguruar, modalitetet e kontributit, pakoja e përfitimeve që mbulohet nga sigurimi shëndetësor i detyrueshëm, marrëdhëniet kontraktuale me institucionet e kujdesit shëndetësor dhe barnatoret në lidhje me ofrimin, përdorimin dhe pagesën e shërbimeve shëndetësore dhe produkteve të dispensuara. Me këtë ligj themelohet Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor të Republikës së Kosovës”, shton ai.