Vitia viziton Onkologjinë: Ministria e Shëndetësisë vazhdon me qenë me fokus te sëmundjet malinje

Prishtinë | 04 Shk 2026 | 17:24 | Nga Ekonomia Online

Në Ditën Botërore të Kancerit, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar Klinikën e Onkologjisë. Nga kjo vizitë u theksua bashkëpunimi dhe nevoja për investime të tjera, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Prishtinë, Dr. Ilir Kurtishi tha se trajtimi është duke u bërë në standarde moderne derisa shpresoi se përkrahja e Ministrisë së Shëndetësise do të vazhdoj.

“Ne sot bëjmë trajtim shumë modern të sëmundjeve malinje me një angazhim maksimal të stafit dhe me një tentativë që këto shërbime tona t’i avancojmë edhe më shumë, të përmirësohen edhe më shumë në aspektin kualitativ, qysh nga barnatorja, siç e pamë edhe në krijimin e kushteve edhe më të mira në sigurinë e përgatitjes së barnave, pastaj në përdorimin e barnave më të reja ose futjen në përdorim të barnave të cilat aplikohen në vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e botës, dhe shfrytëzimi i të gjitha kapaciteteve në shërbimin e radioterapisë në të mirë të qytetarëve të cilët janë të prekur nga këto sëmundje malinje, të cilat për fat të keq janë shkaktarët e dytë në botë, edhe në Kosovë, sa i përket vdekshmërisë. Andaj, me një përkushtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtorisë, ne sot kemi ardhë dhe sot do të prezantojmë disa të dhëna statistikore të klinikës sonë gjatë viteve paraprake, me theks të veçantë të vitit 2025, dhe shpresojmë që këto të jenë si bazë që edhe në vitet e ditët e ardhshme, pra vitin 2026 e kështu me radhë, të kemi përkrahjen e Ministrisë së Shëndetësisë në kërkesat të cilat i bën Klinika e Onkologjisë dhe kolegjiumi i Klinikës së Onkologjisë, kërkesa shumë të arsyeshme, të domosdoshme në dobi të trajtimit modern dhe adekuat të sëmundjeve malinje në Kosovë”, tha ai.

Drejtori tha se Klinika e Onkologjisë është bërë model për rajonin për nga trajtimet.

“E përmenda edhe më herët, veç ta potencoj prapë, se vërtet ka qenë Onkologjia njëra nga disa klinikat në vëmendje të Ministrisë së Shëndetësisë dhe falë përkushtimit, edhe njëherë po them, Klinika e Onkologjisë është model për rajonin dhe bën trajtime adekuate edhe korrekte të pacientëve tanë të cilët vuajnë nga këto sëmundje”, shtoi ai.

Ministri në detyrë Arben Vitia theksoi se stafi e ka mobilizuar ShSKUK-në dhe në përgjithësi QKUK-në.

“Kohën e fundit shohim me dhjetëra, mbase me qindra raste të cilët i takoj, vazhdoj t’i takoj, dhe e kanë mposhtur kancerin. Edhe natyrisht kjo është, përveç asaj që tha Dr. Iliri, e investimeve të cilat jemi munduar, sepse kanë qenë në fokus të të gjitha investimeve, mbase Klinika e Onkologjisë një nga të parat, qoftë me terapi të targetuar, qoftë me radioterapi, qoftë me investime infrastrukturore e aparatura të ndryshme.

Por të gjitha këto, sikur ju thashë edhe kolegëve tuaj poshtë në pjesën e farmacisë, këto janë gjëra që blihen. Ajo që nuk mundet me u ble, ajo që nuk mundet me u zëvendësuar kurrë, është personeli, është stafi shëndetësor, të cilët falë përkushtimit, po falë edhe kërkesave të juaj e kanë mobilizu ShSKUK-në, edhe QKUK-në si njësi por edhe Ministrinë e Shëndetësisë që të bëjë maksimumin në mënyrë që kanceri të mos jetë një sëmundje e pashpresë, siç e kanë quajtur më herët mirëpo të jetë një sëmundje si sëmundjet e tjera të cilat me qindra e dhjetëra pacientë po e mposhtin falë më së shumti angazhimit të juaj”, tha ai.

Vitia nënvizoi nevojën e investimeve, sipas të cilit, i janë adresuar nga Kurtishi.

“Përveç këtij dimensioni të punës së palodhshme që e bëni çdo ditë më lejoni që edhe një herë të them atë që e bisedova me drejtorin, Ministria e Shëndetësisë ka me vazhdu me qenë me fokus me sëmundjet malinje edhe me klinikën e Onkologjisë qoftë me shtimin e buxhetit për aparatura edhe diagnostike por edhe teraupike, qoftë me target terapi në të ardhmen por edhe modernizimin se e pamë që ka nevojë te pjesa e farmacisë”, shtoi ai.

Të ngjashme