Vitin e kaluar 1500 raste të kancerit, kërkohet zgjerim i stafit të Onkologjisë

Prishtinë | 04 Shk 2019 | 12:40 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Klinika e Onkologjisë dhe Shoqata e Onkologëve të Kosovës, me rastin e Ditës Botërore të Kancerit kanë organizuar tryezë me temë “Sëmundjet malinje, sfidat e menaxhimit të tyre në vendin tonë dhe në botë”, raporton Ekonomia Online.

Zv. ministri i Shëndetësisë, Ali Berisha, tha se klinika e Onkologjisë gjatë viteve të fundit ka përparuar dhe si e tillë është e gatshme tu ofroj shërbime më të mira pacienteve.

“Ditët që shënojnë sëmundje të caktuara, në rastin aktual dita kundër kancerit, na përkujton që gjitha shtresat e shoqërisë duhet të bëjnë më shumë në parandalimin e kësaj sëmundje. Sëmundja e kancerit kërkon trajtim multidisiplinar, prandaj në të gjitha drejtimet duhet të përkushtohemi në luftën kundër kancerit. Parandalimi është më i rëndësishëm , gjitha institucionet që merren me parandalimin e kësaj sëmundje duhet të jenë sa me efektiv. Onkologjia ka përparuar shumë dhe shumë pacient është dashur të trajtohen jashtë vendit. Duhet t’i rrisim kapacitetet profesionale. Duhet të kemi impenjim më të madh sepse vet kjo sëmundje kërkon kujdes më të madh”, tha Berisha.

Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se do ta mbështesin këtë klinikë me të gjitha pajisjet e nevojshme.

“Ajo çka është shumë me rendësi është se në këtë ditë një vit më herët ka filluar shërbimi 24 orë që është ndihmesë mjaft e madhe për pacientet. Është një mbështetje edhe prej qeverisë edhe prej ministrisë mirëpo edhe ne jemi të përkushtuar që pacientin ta kemi në qendër. Nga aspekti i pajisjeve mjekësore që juve ju duhen nuk do të ketë asnjë kursim”, tha ai.

Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës së Onkologjisë në QKUK, ka treguar më shumë lidhur me rastet e trajtuara në këtë klinikë.

“Vitin e kaluar kemi shënuar 1500 raste të reja që është një trend i këtyre rasteve. Domino  kanceri i gjirit tek femrat, kanceri mushkërive dhe kanceri i zorrës së trash pak më shumë te meshkujt se tek femrat. Kemi hap shërbimin e ri, shërbimin spitalor ku janë 15 shtretër. Shërbimi tjetër i rëndësishëm është shërbimi i radioterapisë. Synimet tona janë, hapja e shërbimeve të reja si ajo e Brahiterapisë. Kemi ide të kyçemi në hulumtime klinike, kemi nevojë për zgjerim të stafit, infermier të përgjithshëm. Ne kemi një staf profesional. Jemi 19 onkolog, 13 onkolog merren me kimioterapi”, tha ai.

Onkologu Arben Bislimi ka njoftuar për aktivitetet që zakonisht bëhen në këtë ditë të shënuar.

“Ne si vazhdimësi kemi qenë me aktivitete tona. Disa herë e kemi shënuar këtu në klinikë, por shpërndajmë edhe fletëpalosje në sheshet e Prishtinës”, tha ai.

Të ngjashme