Sot pritet që në Kosovë të arrijë një delegacion i Bashkimit Evropian për të marrë të dhëna rreth luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën
Delegacion i Bashkimit Evropian, do qëndroj në Kosovë deri në të shtunën, dhe do të mbledhë të dhëna nga institucionet e Kosovës lidhur me atë se sa është punuar në përmbushjen e kriterit të fundit për heqjen e vizave.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka bërë të ditur se institucionet tashmë kanë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje, ndërkohë është shprehur e bindur se Kosova do të marrë rezultate pozitive.
Edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur i sigurt se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv nga delegacioni i Bashkimit Evropian për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ministri Tahiri në një intervistë ka thënë se delegacioni teknik i BE-së, që vjen në Kosovë do të japë vlerësim pozitiv, pasi sipas tij, institucionet e Kosovës janë duke bërë punë të mirë për zbatimin e rekomandimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Prandaj ky ekip teknik nga Komisioni Evropian do ta vlerësojë progresin e bërë me qëllim që të vlerësohet Kosova se a i plotëson kriteret për marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave. Duke qenë se është ekip teknik, vlerësimi i tyre, si dhe i Komisionit Evropian do të ketë qasje rekomanduese, pastaj u mbetet vendeve anëtare një nga një ta determinojnë dhënien apo mosdhënien e liberalizimit të vizave”, është shprehur Tahiri.
Ndërsa opozita janë shprehur skeptikë nëse do të ketë lajme të mira pas kësaj vizite.
Kjo pasi, sipas tyre, nuk është punuar sa duhet drejt përmbushjes së kriterit të fundit për heqje të vizave, luftës ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.