Liberalizimi i vizave për Kosovën rrezikon të mos ndodhë deri në pjesën e dytë të vitit 2019, megjithëse pritjet janë që vendimi të merret brenda këtij viti.
Ditë më parë presidenti Hashim Thaçi ka thënë se liberalizimi mund të mos ndodhë deri në vitin 2020 nëse pushteti dhe opozita nuk argumentojnë para vendeve të Bashkimit Evropian se janë plotësuar kriteret për liberalizim.
Megjithatë opozitarët dhe njohësit e integrimeve europiane thonë se tani vendimi për heqjen e vizave varet nga vullneti i shteteve anëtare të BE-së, ndërsa nuk e përjashtojnë mundësinë që heqja e regjimit të vizave për kosovarët të mos ndodhë deri pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian, respektivisht deri në fund të vitit 2019.
Ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, ka thënë për Zëri se opozita në Kosovë luan një rol të rëndësishëm në proceset integruese, megjithatë në takimin me Grupin COWEB deputetët e Vetëvendosjes kanë qenë destruktivë duke mos i pranuar të arriturat e Kosovës.
”Opozita duhet të jetë konstruktive sidomos kur bëhet fjalë për interesin e qytetarit. Askush nuk mund të lirohet nga përgjegjësia që ka, deputetët e opozitës janë votuar dhe përfaqësojnë qytetarët e vendit. Fatkeqësisht deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë qenë destruktivë në takimin e fundit me COWEB-in duke mos i njohur reformat e bëra, gjë që mund të ndikojë negativisht në procesin e liberalizimit të vizave”, ka deklaruar Hoxha.