Demarkacioni nuk do të marrë epilog të martën, kur në Prishtinë do të ndodhet për vizitë zyrtare kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.
Kjo çështje nuk është as pjesë e agjendës së takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj, shkruan sot Koha Ditore.
Një anëtar i kabinetit qeveritar i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti se nga kjo vizitë nuk do të marrë ndonjë kthesë çështja e kufirit me fqinjin perëndimor.
“Prej fillimit kur është përgatitur agjenda, ka qenë e menduar të flitet më shumë rreth bashkëpunimit ekonomik e tregtar sesa për demarkacion. Është temë që ngrihet në takim, por nuk ka ndonjë formulë magjike për t’i dhënë kthesë këtij problemi”, ka thënë ky burim. “Pra, është vizitë bilaterale që në fokus i ka krejt temat e tjera, por jo edhe demarkacionin dhe pritjen që mund të ndodhë farë kthese nesër në vizitë dhe takim. Absolutisht jo”.