Vizita e Osmanit në Ulqin, Qeveria malazeze lëshon një njoftim: S’kemi çështje të hapura politike me Kosovën

Prishtinë | 24 Qer 2024 | 17:09 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Malit të Zi ka lëshuar sot një njoftim për vizitën që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e pati të shtunën në Ulqin.

Qeveria malazeze thotë se Osmani qëndroi në një vizitë zyrtare atje, me ç’rast “ka takuar dhe biseduar me drejtuesit e strukturës komunale dhe ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave”.

Kryetari i Komunës së Ulqinit Genci Nimanbegu dhe ministri Fatmir Gjeka biseduan me Osmanin dhe anëtarët e delegacionit të saj për “rrugën europiane të dy vendeve, marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe e bashkëpunim në fusha të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Ata, thuhet se “diskutuan nisma të ndryshme, projekt-ide dhe programe të zbatuara nga Mali i Zi dhe Republika e Kosovës për promovimin e rëndësisë së tolerancës dhe bashkëjetesës reciproke, dialogut ndëretnik, specifikën e kulturës kombëtare, historisë dhe artit”.

“Mali i Zi ka një histori marrëdhëniesh të mira që i ka ndërtuar me sukses, veçanërisht gjatë dy dekadave të fundit. Që nga fillimi i rrugës së tij integruese, Mali i Zi ka përmbushur një numër të madh detyrimesh nga agjenda europiane, siç dëshmohet nga pozicioni i tij aktual dhe pritshmëria reale se do të hyjë në fazën finale të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Gjithashtu, Mali i Zi me përvojën e tij ka ndihmuar vendet që janë në fillimet e rrugës së tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Republika e Kosovës sapo ka filluar rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian dhe në këtë proces Mali i Zi mund të ofrojë mbështetje të madhe profesionale dhe të ndajë përvojën e fituar”, citohet të ketë thënë në takim ministri Gjeka.

“Të dyja vendet kanë një synim të përbashkët për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, për të harmonizuar më tej vlerat e tyre me vlerat europiane, duke u përpjekur të ofrojnë standarde dhe kushte më të mira jetese për qytetarët e tyre. Mali i Zi nuk ka çështje të hapura politike me Republikën e Kosovës dhe në vitet e ardhshme do të përpiqet ta përmirësojë bashkëpunimin ekzistues me qëllim të integrimit më të mirë dhe më të shpejtë, dhe në atë rrugë është me rëndësi të madhe ruajtja e vlerave universale, bashkëjetesës, harmonisë ndërkombëtare, ndërfetare dhe multikulturore”, thuhet në njoftimin e qeverisë malazeze.

Të ngjashme