Vizita në kopshtin zoologjik i kushtoi me jetë 3-vjeçares në Australi

Prishtinë | 06 Sht 2026 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Një vizitë e zakonshme në një kopsht zoologjik ku fëmijët mund të prekin kafshët ka përfunduar tragjikisht për një vajzë 3-vjeçare në Australi.

Fëmija u infektua me një bakter të zorrëve dhe, pas gjashtë javësh trajtim në kujdes intensiv, humbi jetën.

Vajza u trajtua në repartin e kujdesit intensiv të Monash Children’s Hospital në Melbourne, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

Prindërit e saj konfirmuan vdekjen përmes një deklarate publike: “Kemi humbur vajzën tonë të dashur”, shkruan Bild, përcjell Klankosova.tv.

Fëmija vuante nga sindroma hemolitiko-uremike (HUS), një sëmundje e rëndë që mund të shkaktohet nga disa lloje të bakterit E. coli.

Bakteret gjenden edhe në zorrët e kafshëve të fermave dhe mund të shkaktojnë komplikime të rënda, përfshirë dështimin e veshkave dhe dëmtime të trurit.

Ekspertët theksojnë rëndësinë e larjes së duarve pas kontaktit me kafshët, veçanërisht tek fëmijët. Bakteret mund të përhapen përmes feçeve të kafshëve.

HUS prek kryesisht fëmijët e vegjël dhe në fillim mund të ngatërrohet me një infeksion të zakonshëm të stomakut, me diarre dhe dhimbje barku.

Diarreja me gjak, dobësia e madhe, lodhja e pazakontë dhe urinimi i pakët janë ndër shenjat alarmuese.

Të ngjashme