Vizitat jashtë vendit që për qëllim kanë lobimin për Kosovën, kanë qenë arsye e përplasjes mes deputetes së PDK-së, Evgjeni Thaçi Dragusha dhe Vjosa Osmanit të LDK-së.
Në komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Thaçi ka kërkuar që të raportohet për vizitat jashtë vendit dhe të arsyetohen ato, ndërkaq Osmani ka thënë se vizitat veçse janë arsyetuar.
Thaçi tha se do të duhej të konsultoheshin me ministren e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, se cilat vende janë me skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Në të ardhmen ne duhet të diskutojmë për vizitat që do të bëjmë. Ju që keni shkuar në vizita duhet të kemi transparencë, duhet të dijmë se a keni shkuar ta promovoni vetën apo të loboni”, tha ajo.
Ndërsa, kryetarja e komisionit, Vjosa Osmani, ka thënë se duhet të jepen propozime për vendet se ku duhet të lobohet për liberalizim.
Ajo iu përgjigj deputetes Thaçi – Dragusha, duke thënë se për të gjitha vizitat ka qenë transparente duke përgatitur kështu një raport ku përfshihen aktivitetet jashtë vendit.
“Në mbledhjen e fundit të komisionit kemi diskutuar që ta bëjmë një plan jo vetëm vizita jashtë vendit por edhe për ftesa se kë duhet ta ftojmë. Ne jemi në diskutime me ambasadën tonë në Gjermani dhe Londër. Unë kam kërkuar në kryesi që temat e komisionit tonë të mos stërzgjaten. Sa u përket vizitave të mija unë i kam treguar në raport që është dorëzuar dhe kam kërkuar mbledhjen e kaluar që të gjithë të bëjmë raport për vizitat por ti s’ke qenë në mbledhje prandaj nuk je e informuar”, tha ajo
Në anën tjetër, Ilmi Reçica i PDK-së, ka thënë se vizitat duhet të jenë transparente.
“Komisionet parlamentare funksionojnë në bazë të marrëveshjeve, duhet me ik prej orientimeve të ngushta politike. Secila vizitë diskutohet këtu. Duhet të diskutojmë për të gjitha çështjet dhe vizitat”, tha ai.
Anëtari i komisionit nga radhët e PSD-së, Dukagjin Gorani, ka kërkuar që mbledhjen e ardhshme të vijë projektligji i dialogut.
“Kam kërkuar që në rendin e ditës së mbledhjes së ardhshme ta fusin edhe projektligjin për dialogun dhe ta votojmë. PSD nuk e ka përngutë por kjo është obligueshmeri ligjore. Ju mundeni me shty këtë pafundësisht. Qëllimi i këtij ligji është që ajo që është e shkruar të behet ligjore”, tha ai.
Deputetja Vosja Osmani, tha se ligji për dialogun nuk po shtyhet pafundësisht dhe si i tillë mund të diskutohet edhe sot por edhe në ndonjë nga mbledhjet e ardhshme.
“Ky ligj nuk është duke u shtyre pafundësisht. Duhet me kaluar dy javë pune për me dalë në seancë, janë vetëm çështje procedurale. Ne mund ta trajtojmë edhe sot. Ligji është shumë jo serioz, mirëpo tema është serioze”, pohoi Osmani, raporton EO.
Këto propozime u bënë gjatë shqyrtimit të planit punues për vitin 2019 të këtij komisioni.