Vizitë normale në moment jonormal dhe me prapavijë jonormale

Prishtinë | 03 Pri 2024 | 19:56 | Nga Milazim Krasniqi

Vizita e Albin Kurtit në Leposaviq është vizitë e kryeministrit të Kosovës në një qytet të Kosovës, prandaj kushdo që shprehë çudi ose ekzaltim, e ka gabim. Bile është për keqardhje pse për gjithë këto vite nuk është arritë në një normalitet, ku edhe vizitat e zyrtarëve të lartë shtetërorë, do të ishin normale. Por, as jonormaliteti i rrënjosur për kaq vite, një vizitë të kryeministrit të Kosovës në një qytet të Kosovës, nuk e bën jonormale. Ata qytetarë financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë të obliguar të respektojnë ligjet e Kosovës. Pra, parimisht vizita/vizitat nuk duhet të shihen as si sukses, as si problem.

Me gjasë problem paraqet momenti, prapavija, motivi i vizitës së sotme të Kurtit në Leposaviq. Pse? Sepse në takimin e nesërm në Bruksel për dinarin, mund të bëhen lëshime lidhur me legalizimin dhe qarkullimin e dinarit në Kosovë. Prandaj vizita mund të jetë një tentativë për të rritur kreditë e Kurtit, për ta maskuar disi kompromisin për dinarin.

E dyta, meqë më 21 prill në komunat e veriut mbahet procesi për largimin e kryetarëve shqiptarë, vizita mund të jetë edhe si një shprehje triumfalizmi, para se të ndërpriten mandatet e katër kot-kryetarëve. Dhe e gjithë kjo pastaj mund të paketohet si parapërgatitje për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, meqë laku për Asociacionin është shtrënguar shumë rreth qafës së qeverisë Kurti. Deklarata e djeshme e Peter Stanos thotë se për BE-në formimi i Asociacionit është çështje urgjente.

Meqë qenka urgjente, e vetmja mënyrë për ta shtyrë është shkuarja në zgjedhje. Ndërsa shkuarja në zgjedhje ka lazëm për propagandë, pseudopatriotizëm dhe xhurrulldi. Kurti faktikisht e ka nisur fushatën për zgjedhje.

Mirëpo, Kurti me veprimet dhe propagandën e tij duhet ta ketë para sysh edhe rrezikun e konfliktit të veri. Siç ka pohuar admirali Xhejms Stavridis, Rusia po e shtyn Serbinë për një konflikt në Kosovë e në BeH. E tash, nëse Rusisë po i konvenon një konflikt në Kosovë, e sigurt është që Kosovës dhe NATO-s nuk i konvenon asnjë konflikt këtu.

Prandaj edhe veprimet e qeverisë Kurti duhet ta shmangin konfliktin, e jo t’i krijojnë alibi konfliktit, i cili i duhet Rusisë. Nga analiza e detajeve të deklaratave e veprimeve të ditëve të fundit, fitohet përshtypja se qeveria Kurti ose nuk ka aftësi të bëjë analiza, ose i bën analizat gabimisht, ose po e provokon konfliktin qëllimisht. Pse? Nëse është e saktë deklarata e ministrit të brendshëm, se në afërsi të Kopaonikut po përgatiten trupa serbe për sulm ndaj Kosovës, atëherë në këtë moment e përballë atij rreziku, nuk ka vend për vizitë të Kurtit në Leposaviq, meqë ajo vizitë për serbët llogaritet si provokim

Pra vizita vetëm sa mund t’i shtyjë serbët e Leposaviqit në përqafim të planeve të Radojçiqit, Vuçiqit e Putinit.Vërtet ka shumë paqartësi, pse bëhen disa veprime, që vetëm e komplikojnë gjendjen edhe ashtu të rëndë. Kosovës i duhet normaliteti. Kur të arrihet normaliteti edhe vizitat në veri bëhen krejtësisht normale, në çdo moment që të zhvillohen.

Të ngjashme