Prokuroria Themelore e Pejës, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Xh.B., E.Z., për veprën penale “Grabitje”, nga neni 329 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Xh.B. dhe E.Z., me datën 23 Korrik 2018,rreth orës 11:30 në fshatin Kashicë të komunës se Istogut, pasi sigurohen se në shtëpinë e të dëmtuarit A.Sh. nuk gjendet asnjë mashkull brenda, por vetëm të dëmtuarat I.Sh dhe E.L., i bien ziles së shtëpisë dhe në momentin kur hapet dera nga e dëmtuara I.Sh., të pandehurit me forcë dhe nën kërcënimin e armës dhe sëpatës futen brenda dhe nga aty marrin 50.000 (pesëdhjetë) mijë euro , dy telefona celular dhe atë një Iphon6 dhe një Iphone7 në vlerë prej 1.800 (njëmijetetëqind) euro dhe më pas largohen nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallet fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.