Eventi tradicional i vjeljes së rrushit “Vjelja e rrushit Kosova 2021”, bashkoi kandidatët e të gjitha partive për kryetar të komunës së Suharekës, raporton Ekonomia Online.
Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), ka ftuar të rinjtë që të merren me bujqësi, ndërsa institucioneve t’i ndihmojnë bizneset.
“Ky event na bashkoi të gjithëve, dhe tashmë vjelja e këtij rrushi po jep një mesazh të qartë se sa ka rëndësi kultivimi i saj dhe prodhimi i verës. Andaj bëj thirrje edhe tek të rinjtë që të përvetësojnë fushën e bujqësisë dhe të mos hezitojnë të punojnë në fusha pasi ata janë ardhmëria jonë. Ka shumë rëndësi që të mbështeten bizneset”, tha Shahini.
Pronari i AgroKosova Holding Haziz Tafaj, tha se për vite me radhë vjelja e rrushit bashkon shumë kultura dhe personalitete të ndryshme.
“Tash e sa vite organizojmë tradicionalisht vjeljen e rrushit, sado që ishte pandemia dhe po vazhdon akoma ne arritëm që të realizonim këtë manifestim”.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj tha se qëllim kanë që të ruajnë traditën e kultivimit dhe vjeljes së rrushit.
“Qëllimi i komunës tonë është që ta përcjellim tradicionalisht këtë traditë, ku qëllimi jonë kryesor është që ta rrisim sa më shumë këtë traditë”, tha Muharremaj.
Edhe kandidati nga LDK-ja, Ardian Shala tha se duhet që të vazhdohet me kultivimin e rrushit, për cka edhe nijhet ky regjion.
“Neve na mbetet ta kultivojmë këtë kulturë dhe të rrisim këto kapacitete, duke u premtuar mbështetje tutje sidomos të bizneseve”, tha Shala.
Kandidati nga PDK-ja, Murtez Zekolli tha se është e rëndësishme që të ruhet mirëqenia e të rinjve në mënyrë që të mos largohen nga vendi po tu ofrohet garanci, raporton EO.
Kurse Lumnije Ajdini nga AKB-ja bëri thirrje që të konsumohen produktet vendëse.