Vjen reagimi i kreut të KED-së pas kallëzimit penal të Metës ndaj tij

Prishtinë | 19 Nën 2019 | 16:16 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka bërë kallëzim penal ndaj kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), Ardian Dvoranin për dy vepra penale: “shpërdorim i detyrës” dhe “përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore”.

E paralajmëruar më shumë bujë, presidenca e depozitoi pa shumë zhurmë dosjen për Ardian Dvoranin të cilin Presidenti Meta e akuzon për shkelje të rëndë të detyrës dhe uzurpim të kompetencave në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar dënimin nga 2 deri në 7 vite burgim.

Misteri nga ana e Presidencës u ruajt jo vetëm për përmbajtjen e padisë, por edhe për videon përvëluese të paralajmëruar si provë e pakundërshtueshme, e cila sipas zëdhënësit të Presidentit, “do zbuloje fytyrën e vërtetë të kreut të KED-së”.

Top-Channel raporton se videoja e cila po përgatitet në zyrat e presidencës në disa gjuhë evropiane për partnerët ndërkombëtarë pritet të bëhet publike këtë javë. Ndërsa opinionit publik i duhen edhe pak ditë për të parë sa i flaktë do të jetë materiali, i cili po përpunohet në Presidencë.

Pas këtij kallëzimi penal, ka reaguar menjëherë Dvorani, i cili në një deklaratë për mediat thotë se ka ditë që në mungesë qetësie dhe me tone të larta e kërcënuese, presidenti Meta e paralajmëronte këtë nismë, e cila, në të vërtetë, siç thotë ai, “përbën një detyrim kushtetues dhe ligjor që ai, si kushdo tjetër, duhet ta përmbushë kur mendon se ka marrë dijeni për një vepër penale”.

Ai thotë se do t’u bindet urdhërimeve dhe kërkesave të organit të prokurorisë për të dhënë shpjegimet përkatëse mbi faktet e të vërtetën, si edhe ligjin e zbatueshëm lidhur me to, “ashtu siç e bën pa zhurmë e bujë çdo qytetar i zakonshëm i këtij vendi”.

“Paraprakisht, për aq sa për momentin më rezulton nga media, mund të shprehem vetëm se ky kallëzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”, ka thënë mes tjerash Dvorani.

Tutje, Dvorani thotë se ky kallëzim penal, ndër të tjera, bazohet në pretendime për ekzistencën e disa fakteve, sjelljeve dhe veprimeve të cilat “janë të pavërteta, por që ndoshta kallëzuesi mendon se kanë ndodhur apo do të dëshironte të kishin ndodhur për motivet që i di ai”.

Nga ana tjetër, thotë Dvorani, “sjelljet dhe veprimet e mia, qoftë edhe ato të pavërteta por të dëshiruara si të tilla nga kallëzuesi, janë të tilla në natyrë që jo vetëm nuk përbëjnë ndonjë vepër penale, por as edhe ndonjë shkelje tjetër të ligjit”. Por akoma më serioz, sipas tij, është fakti që vetë ky kallëzim penal, sikurse edhe të gjitha deklarimet e zhurmshme të Presidentit, “bazohen në një vlerësim dhe interpretim tërësisht të gabuar dhe aspak profesional të Kushtetutës dhe të ligjit, më konkretisht të kuptimit të radhës së plotësimit të vakancave, afatit brenda të cilit detyrimisht ushtrohet e drejta e zgjedhjes, detyrimit për të respektuar normën kushtetuese të përzgjedhjes së gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese vetëm ndërmjet tre kandidatëve të renditur nga KED, si edhe parashikimin urdhërues e të drejtpërdrejtë të Kushtetutës që, kur edhe Presidenti nuk e ushtron kompetencën e tij brenda afatit 30 ditor apo vlerëson mos ta ushtrojë atë, kandidati i renditur i pari nga KED është, ex legge, anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese”.

“Për rrjedhojë, jo vetëm që nuk ka shkelje të Kushtetutës e të ligjit, por edhe duke u nisur nga një interpretim dhe pretendim haptazi jokushtetues nuk ka vend as për të pretenduar se kanë ardhur pasoja të tilla në dëm të interesit publik që passjellin përgjegjësinë penale”, deklaron kreu i KED-së, raporton Koha.net.

Ai thotë se shtetarët shqiptarë ende nuk janë mësuar dhe nuk ndjehen mirë që ndryshimet kushtetuese i kanë hequr, si në rastin e Presidentit e jo vetëm, autoritetin ekskluziv të mëparshëm, aq shumë të kritikuar e ndoshta të abuzuar, kur procesi ishte mjaft problematik, me mungesë transparence, pa procedura e kritere ligjore seleksioni e vlerësimi bazuar në integritetin e meritokracinë e kandidatëve, si edhe pa asnjë kufizim ligjor tjetër në thirrjen dhe përzgjedhjen e gjyqtarëve kushtetues.

Tashmë, thotë Dvorani, është KED, “një organ i ri i pavarur kushtetues të cilit Kushtetuta i ka ngarkuar kompetencën ekskluzive për të bërë verifikimin e integritetit të kandidatëve dhe më pas vlerësimin e renditjen e atyre që kualifikohen”.

“Edhe për këtë arsye, përbën jo vetëm një të drejtë, por edhe detyrim ligjor për mua të mbroj autoritetin dhe kompetencat që Kushtetuta i njeh KED dhe kryetarit të tij e të kërkoj nga kushdo, pa asnjë dallim, që të respektojë këtë autoritet kushtetues. Aq më tepër, kur këto ditë, ka përpjekje për të cenuar e deligjitimuar, me një qasje dukshëm diversive, fillimisht veprimtarinë time si kryetar i KED, por tashmë edhe në tërësi veprimtarinë e jashtëzakonshme që ka zhvilluar dhe po zhvillon intensivisht KED gjatë gjithë këtij viti si edhe vendimmarrjet kolegjiale të tij, në kushtet kur burimet njerëzore dhe administrative, për arsye objektive kanë qenë dhe mbeten tejet të kufizuara”, deklaron ai në reagimin e tij të gjatë pas ushtrimit të kallëzimit penal nga Meta ndaj tij.

Ai thotë se kallëzimi penal është deklaruar në mënyrë “aspak institucionale dhe shantazhuese prej kaq ditësh”, ndërsa thekson se “të gjitha çështjet e interpretimit të ligjit dhe ato të verifikimit të fakteve janë elementë që i vlerëson sipas ligjit vetëm organi i prokurorisë dhe gjykata”.

“Detyrimi im është të respektoj ligjin dhe autoritetin e tyre. Së fundi, duke qenë se krahas detyrimeve proceduale më duhet të respektoj edhe parimet e transparencës dhe të informimit publik, sigurisht që ky nuk do të jetë komunikimi im i fundit me publikun për këtë çështje”, përfundoi kreu i KED-së, Ardian Dvorani.

Të ngjashme