Princ Harry dhe Meghan Markle, duka dhe dukesha e Sussex-it, deklaruan dje se do të tërhiqen nga detyrat e tyre mbretërore për një jetë të pavarur financiarisht.
Deklarata e tyre sigurisht që habiti jo pak njerëzit dhe po kaq të habitur duken edhe anëtarët e Pallatit.
Në një deklaratë të publikuar disa orë pas postimit të çiftit, Buckingham Palace u shpreh se situata ishte “e ndërlikuar”. “Diskutimet me dukën dhe dukeshën e Sussex-it janë ende në një fazë të hershme,” shkruhej në deklaratë.
“Ne e kuptojmë dëshirën e tyre për një qasje ndryshe, por këto janë çështje të komplikuara, për të cilat do të duhet kohë për të punuar.”
Në postimin në Instagram, thuhej se vendimi për t’u shkëputur nga mbretëria ishte marrë “pas muajsh të tërë reflektimesh dhe diskutimesh”, ndërkohë që deklarata e Buckingham Palace deri diku bie në kundërshtim me atë të çiftit.
Burime për CNN thonë se Harry dhe Meghan nuk u këshilluan me anëtarët e tjerë të familjes mbretërore në lidhje me vendimin e tyre. Thuhet se të gjithë janë të zhgënjyer dhe të lënduar si rezultat i lajmit të bujshëm.
Vendimi i papritur habiti jo pak njerëzit, të cilët u ndanë në dy kampe.