Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti së bashku me kabinetin e tij qeveritar dhe deputetët e mazhorancës kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, në nder të daljes publike të UÇK-së, ditëlindjes së heroit Adem Jashari, si dhe në nder të përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
“28 Nëntori është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar. Kjo datë lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tona prej Skënderbeut në Krujë te Ismail Qemali në Vlorë dhe Adem Jashari në Prekaz. Pa dyshim që kjo është një ditë e cila na mbushë me gëzim e krenari por edhe me përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në vendin tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë. Ne po bëjmë gjithçka që dimë e mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre që e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë më të vështira sesa kjo e jona. Me këtë rast përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, për pavarësi, e për bashkim”, tha Kryeministri Kurti në fjalën e tij pas homazheve në Prekaz.
Ky delegacion bëri homazhe edhe te shtatorja e Heroit Zahir Pajaziti, dhe te ajo e Ismail Qemalit.