Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kandidatja e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani, ka vizituar shtëpinë-shkollë të viteve të nëntëdhjeta, të familjes Hertica, raporton Ekonomia Online.
Nga aty, Osmani ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit për fillimin e ri shkollor.
“Ne jemi këtu për të përçuar mesazhin se arsimi është shtylla bazë që e ndërton shtetin. Në vitet e 90-ta kur ne si popull ndërtonim rezistenca, shtëpi sikur kjo e familjes Hertica që i dhanë mesazh gjithë botës që disa tentonin shfarosjen, ne rezistencën tonë e ndërtojmë me dije. Edhe sot e tutje, mesazhi ynë është që rezistencën ta kthejmë në dije”, ka thënë Osmani.
Ajo ka kritikuar qeverisjen e kaluar, që sipas saj, është fajtore për degradimin e arsimit në vend.
“Ne do të punojmë mbi bazën që arsimi e mbanë dhe e zhvillon shtetin. Në vitet e 90-ta kur ne e ndërtonim shtetin tonë, ishin shtëpitë si kjo që i dhanë mesazh gjithë botës se ne rezistencën tonë e mbrojmë me dije. Edhe tani, ne të gjitha sfidat do t’i luftojmë me dije”.
“Sot arsimi është për turp për shkak të politikanëve që kurrë nuk janë njohur për dije dhe për dy muaj janë bërë doktorë të shkencave. Sot kemi parti në pushtet që bëjnë investimin më të vogël në rajonin tonë sa i përket fushës së arsimit”, raporton Ekonomia Online.
Edhe përfaqësuesi i familjes Hertica, Fadil Hertica, falënderoi kandidaten e LDK-së për vizitën e saj në këtë shtëpi.
Shtëpia tri katëshe e Mehmet Herticës për 7 vjet shërbeu si shkollë për nxënësit e Prishtinës. Ajo tashmë që njihet si shtëpi-shkollë së shpejti do të shndërrohet në muze.