Evelyne Tschopp flet me shumë respekt për Majlinda Kelmendin. Zvicerania Tschopp është rivale e Majlindës në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo. Rezultatet nuk i ka si të kampiones kosovare, por është xhudiste e respektuar me suksese të konsiderueshme në skenën ndërkombëtare.
Tschopp e njeh shumë mirë Majlindën, ashtu e njeh edhe Majlinda atë. Zvicerania është kundërshtarja më e shpeshtë e Majlindës në garat e xhudos, shkruan sot “Koha Ditore”. Plot tetë përballje kanë ato deri më tani e përballje tjera priten në të ardhmen. Bilanci është 8:0 në të mirë të Majlindës. Pra xhudistja kosovare i ka fituar të gjitha tetë luftërat e deritashme me Tschoppin.
Por duket që me secilën përballje respekti i Tschoppit për Majlindën ka shkuar duke u rritur. Dhe po vazhdon të rritet ende.
Së fundi Majlinda e Evelyne e ndanë tatamin në finale të turneut Grand Prix të mbajtur në Tashkent më 9 nëntor të vitit të kaluar. Në vitin 2017 kishte dy përballje mes tyre, në botërorin në Budapest dhe në Evropianin në Varshavë. Dy përballje tjera i kishin në vitin 2016 e tri të tjera në vitin 2015.
“Sa herë që luftoj ndaj saj është rast për mua që të testoj veten. Të luftoj ndaj xhudistes më të dekoruar të kategorisë sime është gjithnjë e veçantë. Nuk kam se çka të humbas. Por në të njëjtën kohë unë dua të fitoj dhe të sfidoj atë”, ka thënë Evelyne Tschopp në një bisedë për gazetën.