Figura e profesorit, publicistit dhe gazetarit, Ramiz Kelmendi, është vlerësuar lart nga krerët e shtetit, profesorë, akademikë dhe persona të jetës publike.
Në mbledhjen komemorative për profesorin e ndjerë, Ramiz Kelmendi, kanë marr pjesë kryeministri Isa Mustafa, krye parlamentari Kadri Veseli, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, Don Lush Gjergji, akademikë, profesorë e familjarë.
Kryeministri Isa Mustafa, u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Kelmendi dhe qytetarëve të Kosovës, për humbjen e shkrimtarit Ramiz Kelmendi.
“Ramiz Kelmendi do të mbahet mend si një intelektual erudit, i cili dha kontribut të shquar në zhvillimin e gazetarisë, krijimtarisë letrare dhe fushave të tjera të kulturës në Kosovë. Kosova ka humbur një mendje të ndritur i cili do të përkujtohet përherë”, thuhet në mesazhin e kryeministrit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se Ramiz Kelmendi bëri që kultura jonë, gjuha shqipe në Kosovë, të gjejë rrugët e komunikimit me vlerat më të larta të kulturës botërore.
“Në këtë mënyrë, Kelmendi la shenjat e tij në rrugën e nisur një shekull më parë nga rilindasit, rrugën e ri-ngritjes kulturore dhe arsimore të kombit tonë”, tha Veseli.
Ndërsa, djali i të ndjerit Kelmendi, Migjeni, tha se aftësia e babait të tij ka qenë dashuria ndaj njerëzve dhe respekti për ta.
“Babën e përkufizon fjala dashni”, tha Kelmendi.
Me një pikë artistike nga aktori Çun Lajçi u përmbyll mbledhja komemorative.