Vlerësohet lartë përkushtimi dhe angazhimi i Komunës së Drenasit në garat e Programit Nacional për Rini

Prishtinë | 31 Tet 2019 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i Komunës së Drenasit, Nazmi Hasi, Drejtori i Arsimit, Tafil Halilaj dhe Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu, kanë pritur në takim pune Koordinatorin Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti. Në këtë takim u diskutua për Programin Nacional për Rini dhe rrjedhjen e garave, ku Hoti vlerësoi lartë Komunën e Drenasit për rezultatet e treguara dhe organizimin paraprak të garave.

Nënkryetari Nazmi Hasi është shprehur i kënaqur me realizimin e këtij projekti në Komunën e Drenasit, duke theksuar se janë të gatshëm për bashkëpunim dhe se ofrojnë përkrahje për aktivitete të tilla që janë në shërbim të mirë të nxënësve.

I kënaqur me garën është ndarë edhe Drejtori i Arsimit, Tafil Halilaj, i cili falënderoi koordinatorin Hoti për organizimin dhe angazhimin, duke shprehur gatishmërinë e DKA-së për vazhdimin e mbështetjes së programit dhe se janë duke bërë përgatitjet e nevojshme për një proces të mbarë për garën në vazhdim.

Ndërkaq, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Shqipe Zogu, tha se me kapacitetet teknike, përfshirë objektet sportive, do të jenë në dispozicion për realizimin e garave sportive në nivel komunal.

Në fund, Hoti urojë fituesit e garave të organizuara deri me tani, duke ftuar që në garën në vijim të këtë përfshirje edhe me të madhe të shkollave.

Numri i përgjithshëm pjesëmarrës në garën për Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik në Komunën e Drenasit ka qenë 2336. Në nivel të shkollave janë 852 fitues, në nivel komunal 45, ndërsa, në nivel republikan 4. Kurse, në garat e diturisë në nivel shkolle kanë fituar  1385 nxënës, në nivel komunal 44 dhe në atë republikan 6 nxënës.

Të ngjashme