Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për medie tha se është dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të komunave të Kosovës, sepse këto zgjedhje lokale janë për qytetarët, e jo për politikanët, raporton Ekonomia Online.
Çitaku i ftoi qytetarët me të drejtë vote që të dalin e të votojnë, sepse ata sot e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre.
“Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, gratë dhe burrat, prindërit tanë, me votën e tyre sot do të fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Pjesëmarrja sa më e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush duhet të na udhëheqë në komunat tona në katër vitet e ardhshme”, tha ajo.
Çitaku tha se demokracia do të jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve.
“Nga mbi 8 mijë aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës që janë të angazhuar në procesin zgjedhor në gjithë territorin e vendit, kemi vlerësime pozitive dhe inkurajuese”, theksoi Çitaku.