Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka uruar nënën e saj për ditëlindje, duke e falënderuar që siç shkroi ajo, i rriti me çiltërsi dhe me zemër të bardhë i mësoi si ta duan të mirën.
Ajo u shpreh se nëna e saj ka lënë gjurmë në jetën e brezave të tërë, jo vetëm si mësimdhënëse, por siç tha, si shembull i një gruaje që jetoi me ndershmëri, përkushtim dhe fisnikëri.
“Urime ditëlindja, nanë. Faleminderit që na rrite me çiltërsi, me zemër të bardhë dhe që na mësove ta duam të mirën, ta duam suksesin jo vetëm tonin, por edhe të tjetrit. Faleminderit që, për dekada me radhë, frymëzove mijëra vajza anembanë Kosovës me dashurinë për shkollën, dijen dhe dinjitetin”.
“Ke lënë gjurmë në jetën e brezave të tërë, jo vetëm si mësimdhënëse, por si shembull i një gruaje që jetoi me ndershmëri, përkushtim dhe fisnikëri. Ti na mësove se respekti fitohet me punë. Se dija është pasuria që askush nuk ta merr. Rilindase nga Drenica, me zemër të madhe e shpirt të pastër. Të paçim gjithmonë me shëndet, buzëqeshje dhe dashuri. Gëzuar ditëlindjen”, shkroi Çitaku.