Vlorë, 10 të shoqëruar për vrasjen e 25 vjeçarit

Prishtinë | 22 Gus 2021 | 14:35 | Nga Ekonomia Online

Policia e Vlorës ka shoqëruar 10 persona në komisariat për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e një dite më parë, ku u gjet i vrarë 25-vjeçari Xhuljano Bullarit, pak metra larg fshatit Babicë.

Nga hetimet e policisë dhe prokurorisë dyshohet se i riu është vrarë nga pasagjeri në makinë, ku mësohet se është qëlluar me të paktën dy plumba në kokë.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së premtes, por trupi i pajetë i 25-vjeçarit është gjetur mëngjesin e së shtunës nga kalimtarë të rastit.

Trupi u gjet brenda makinës tip “Fiat Punto” dhe nga hetimet e deritanishme mendohet se 25-vjeçari ka mbërritur atje i shoqëruar nga persona të njohur, ekspertiza mjeko-ligjore dyshon se 25-vjeçari ka ndërruar jetë rreth orës 21:00.

Shkaqet e vrasjes mbeten ende të pazbuluara, ndërsa i riu kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu, ku kishte vuajtur një dënim për transport të paligjshëm të disa sirianëve, ndërkaq grupin e hetimit pritet ta ndihmojë dëshmia e të afërmve të 25 vjeçarit.

Babai i tij ka thënë se i biri ishte larguar nga shtëpia në Babrru të Tiranës rreth orës 18:00 deri 19:00 të pasditës së të premtës, si zakonisht për të pirë kafe dhe thotë se nuk ka informacion se si ka mbërritur në Vlorë, ku edhe më pas u gjet i vrarë.

Mjeti ishte në emër të një gruaje nga Tirana ku i riu me origjinë nga Elbasani jetonte prej vitesh.

Pista e parë e hetimit është një vrasje për pazare të prishura të drogës, ndërsa po shikohet e kaluara e viktimës si dhe thirrjet telefonike që mund të ketë bërë dhe marrë para ekzekutimit.

Ndërkohë nga kërkimet e policisë viktima Xhuliano Bullari, ka qenë i ndjekur penalisht me trafikim të qenieve njerëzore./TCH

Të ngjashme