VMRO-DPMNE-ja as sot nuk u kthye në Kuvendin e Maqedonisë. Partia opozitare vazhdon të mbajë qëndrimin se deri në uljen e tensioneve dhe derisa deputetët e kësaj partie qëndrojnë në paraburgim, kthimi në Kuvend do të mbetet vetëm opsion i së ardhmes. Ushtruesi i detyrës koordinator i grupit Parlamentar të VMRO-DPMNE-së Vllatko Gjorçev thotë se partia mbetet në këtë qëndrim deri në ndryshimin e këtyre politikave të Qeverisë.
“Jemi në situatë kur duam dhe duhet të ketë relaksim të gjendjes në vend, ulje te tensioneve dhe paqe. Por në të njëjtën kohë kemi një gjendje kur dje iu vazhdua paraburgimi shumë personave dhe kjo nuk është mirë për dialogun politik, por përkundrazi e përmbyt dialogun” deklaroi Vllatko Gjorçev, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Por kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi është optimist se partia më e madhe opozitare pas festave do të kthehet në Kuvend. Xhaferi shton është i domosdoshëm funksionimi i plotë i Kuvendit.
“Edhe në debatin që bëmë theksova se nuk udhëhiqen nga aspektet hipotetike çka dhe si. Lëvizjet dhe veprimet që bëhen pas Kongresit të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së mendoj që shkojnë në drejtim të konsolidimit të tyre dhe kthimit të tyre në Parlament. Këto janë pritshmëritë e mia dhe theksoj se nuk udhëhiqem nga hipotezat”tha Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.
Ndërkohë Komisioni statutar i VMRO-DPMNE-së ka filluar procedurën për ndryshimin e statusit të partisë. Subjekti i bën thirrje edhe iniciativës për reforma, demokratizim dhe modernizim të partisë të marrin pjesë në punën e Komisionit statutar me qëllim realizimin e procesit transparent në ndryshimet në statut. Mbete i panjohur qëndrimi i opozitës rreth shkrirjes së 10 grupeve parlamentare në një, raporton Alsat-M, transmeton Klan Kosova.
Jo zyrtarisht, burime brenda VMRO-DPMNE-së thonë se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas formimit të organeve të reja të partisë dhe ndryshimeve të mundshme statutare. Pas zgjedhjes së Hristijan Mickoskit për kryetar të VMRO-DPMNE-së, ky i fundit zhvilloi takim edhe me Kryeministrin Zoran Zaev. Dy liderët ranë dakord për bashkëpunim në sferën e reformave dhe nevojën për mbështetjen e opozitës. Ndonëse Mickoski paralajmëroi që VMRO-DPMNE-ja së shpejti do të kthehet në Kuvend, një gjë e tillë tash mbetet peng i vendimeve për paraburgimet e deputetëve të kësaj partie.