Vodhi 6000 euro në një hotel në Ksamil, arrestohet hajduti serial

Prishtinë | 06 Jan 2025 | 12:46 | Nga Ekonomia Online

Policia e Sarandës ka identifikuar dhe vënë në pranga brenda 24 orëve të dyshuarin si autor të vjedhjes së një sasie parash në një hotel në Ksamil.

Arif Mance, 38 vjeç, banues në Tiranë, është identifikuar përmes pamjeve filmike si autor i vjedhjes së një shume prej 6000 eurosh në hotelin “Koko” në qendër të Ksamilit. Ai ka vepruar i vetëm, por ka qenë i pakujdesshëm për t’u fshehur nga kamerat e sigurisë. Mance rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë, i arrestuar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Tiranë, Laç dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Policia e Sarandës po vijon hetimet për të zbuluar nëse Mance mund të ketë kryer vjedhje të tjera në Sarandë dhe Ksamil.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas një pune intensive hetimore dhe nga këqyrja e kamerave të sigurisë, për zbardhjen e vjedhjeve, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Serial Thief”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit: A. M., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se ky shtetas, më 04.01.2025, në lagjen nr. 2, Ksamil, në ambientet e një hoteli, ka vjedhur një çantë me 6000 euro, ndërsa në lagjen nr. 4, Sarandë, ka tentuar të vjedhë sende nga një automjet i markës “Audi Q5”, duke thyer xhamin e derës së drejtuesit të automjetit.

Nga veprimet hetimore të mëtejshme, rezultoi se shtetasi A. M. ishte shpallur në kërkim për katër vjedhje të tjera, konkretisht:

  • Më datë 13.12.2024, në Durrës, dyshohet se ka tentuar të vjedhë në një banesë, si dhe ka vjedhur një celular;
  • Më 08.12.2024, në Tiranë, dyshohet se ka vjedhur në një banesë dhe në një kioskë.

Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale “Vjedhja”. euronews.al

Të ngjashme