Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është shtyrë gjykimi i paraparë për të mërkurën, në rastin ku A.B po akuzohet për vjedhjen e një bluze dhe një palë doreza në dyqanin “Emporium”, në Prishtinë.
Në fillim të seancës gjyqtarja Donika Shala-Abdyli ka njoftuar se edhe seanca e kaluar është shtyrë për arsye se palët kanë dashur që të vazhdojnë me procedurën e ndërmjetësim, mirëpo e njëjta tha se është kontaktuar pala e dëmtuar përmes telefonit dhe e njëjta nuk është përgjigjur.
Shtyrjen e seancës e ka propozuar e akuzuara e cila tha se do të provoj të kontaktojë përsëri me palën e dëmtuar në mënyrë që të dakordohen për ta referuar çështjen në procedurë ndërmjetësimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Propozimin për shtyrjen e seancës nuk e ka kundërshtuar as prokurori Menduhi Kastrati.
“Nuk e kundërshtojmë propozimin e të pandehurës, le t’i jepet edhe një mundësi që për seancën e ardhshme të sigurohet prania e palës së dëmtuar, kështu që nëse edhe pala e dëmtuar pajtohet nuk do ta kundërshtojmë vullnetin e të dy palëve për të shkuar në procedurë të ndërmjetësimit”, ka thënë prokurori Kastrati.
Gjyqtarja Shala-Abdyli e ka aprovuar propozimin e të akuzuarës Bërbatovci për shtyrjen e seancës ndërsa e radhës është caktuar më 9 mars.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 janar 2019, e pandehura Bërbatovci, më 25 dhjetor 2019, në dyqanin “Emporium” në Prishtinë, me qëllimin përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka arritur të marrë një bluzë në vlerë prej 69 euro e 90 cent, një palë dorëza në vlerë prej 35 euro, me ç’rast i ka shkaktuar dëm dyqanit “Emporium” në vlerë rreth 104 euro e 9 cent.
Me këtë, e pandehura Bërbatovci akuzohet që ka kryer veprën penale “Vjedhje”, nga neni 125 paragrafi 1 i Kodit Penal./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.